Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare shqiptare, Hafiz Gagica, një prej figurave qendrore dhe më të respektuara të mërgatës shqiptare gjatë viteve nëntëdhjetë.
Ikja e tij nga kjo botë është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë e tij, por edhe për mbarë kombin shqiptar, për diasporën shqiptare dhe për të gjithë ata që e njohën nga afër përkushtimin, urtësinë dhe energjinë e tij të pashtershme në shërbim të atdheut.
Hafiz Gagica ishte zë i fuqishëm i Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, në ndërkombëtarizimin e çështjes sonë kombëtare dhe në rrugëtimin drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ai ishte një veprimtar i palodhur dhe një organizator i jashtëzakonshëm, i cili i dha dimension të ri angazhimit politik dhe kombëtar të mërgatës shqiptare në Evropë.
Kontributi i tij në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës ishte i jashtëzakonshëm dhe historik. Si kryetar i Degës së LDK-së në Gjermani, njëra ndër degët më të mëdha dhe më aktive në Evropë, si dhe si kryetar i Kolegjiumit të Degëve të LDK-së jashtë vendit, ai arriti të mobilizojë dhe bashkojë shqiptarët në mbështetje të kauzës kombëtare.
Zëri i Hafiz Gagicës dëgjohej kudo ku kërkohej sensibilizimi i çështjes së Kosovës. Ai ishte i pranishëm në demonstratat më të mëdha në Evropë, duke ngritur me guxim zërin kundër padrejtësive që i bëheshin popullit shqiptar në ish-Jugosllavi dhe në Kosovë në veçanti. Kishte energji të jashtëzakonshme, vullnet të pathyeshëm dhe një përkushtim të rrallë për t’i shërbyer vendit dhe popullit të tij.
Përveç veprimtarisë politike dhe kombëtare, Hafiz Gagica dha një kontribut të rëndësishëm edhe në jetën kulturore, mediatike dhe publicistike shqiptare, sidomos në mërgatë. Ai ishte njëri ndër veprimtarët më të përkushtuar të çështjes shqiptare, publicist me vizion dhe organizator i shumë aktiviteteve kulturore e patriotike.
Përmes shkrimeve, analizave dhe artikujve të tij të botuar në mediat shqiptare, ai trajtoi me guxim dhe përgjegjësi çështje kombëtare, historike dhe kulturore, duke ndikuar edhe në sensibilizimin e qarqeve evropiane për realitetin shqiptar. Aktiviteti i tij në organizimet kulturore dhe shoqërore ndihmoi në ruajtjen e identitetit kombëtar, të gjuhës shqipe dhe të lidhjeve të mërgatës me atdheun.
Hafiz Gagica ishte gjithashtu pjesëmarrës i rregullt në aktivitete letrare, akademike dhe kulturore, duke bashkëpunuar ngushtë me shkrimtarë, artistë dhe intelektualë shqiptarë. Ai mbetet një figurë me ndikim të madh në komunitetin shqiptar jashtë atdheut dhe një simbol i përkushtimit ndaj vlerave kombëtare e kulturore shqiptare.
Mërgata shqiptare do ta kujtojë gjithmonë me respekt dhe mirënjohje të thellë figurën e tij atdhetare, punën e palodhur dhe sakrificën e tij për çështjen kombëtare.
Në këto çaste dhimbjeje, u shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes Gagica, miqve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin dhe ta kenë pranë.
Qoftë i përhershëm kujtimi për Hafiz Gagicën!
Mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi shpirtin e tij.