Kur opozita e ktheu shtetin në pasuri, qytetarët e kthyen Kurtin në shpresë

Opinione

Kur opozita e ktheu shtetin në pasuri, qytetarët e kthyen Kurtin në shpresë

Halil Geci Nga Halil Geci Më 11 qershor 2026 Në ora: 09:17
Albin Kurti

Nuk ka më kollaj se ta kuptosh pse Albin Kurti ka fituar dhe vazhdon të fitojë.

A keni dëgjuar ndonjëherë në ndonjë shtet të botës, ku ekziston pluralizmi politik, që në zgjedhjet nacionale një parti të fitojë mbi 50% të votave, ndërsa opozita ta cilësojë fituesin si humbës? Një gjë e tillë duket se ndodh vetëm në Kosovën tonë.

Pothuajse çdo analizë politike në Kosovë përpiqet të gjejë arsye të ndërlikuara për suksesin elektoral të Albin Kurtit. Në të vërtetë, përgjigjja mund të jetë shumë më e thjeshtë sesa mendohet.

Për ta kuptuar pse Kurti vazhdon të fitojë dhe pse opozita vazhdon të humbasë, mjafton të shohim se si është qeverisur Kosova për më shumë se dy dekada pas luftës.

Për më shumë se 20 vjet, pushtetin e dominuan elita politike që shumë qytetarë i perceptuan si të shkëputura nga interesat e popullit dhe të përqendruara kryesisht në interesat e tyre personale.

Ajo që e ka shtrirë për tokë opozitën kanë qenë marrëveshjet e këqija, si Zajednica, ekstraterritoret për manastiret, formimi i Gjykatës Speciale, falja e tokës Malit të Zi dhe shumë e shumë të tjera që shumë qytetarë i konsiderojnë si tradhti ndaj atdheut.

Në vend që sakrifica e luftës dhe e rezistencës të shërbente si themel moral për ndërtimin e shtetit, ajo shpesh u përdor si mburojë politike për të justifikuar pushtetin dhe privilegjet.

Duhet thënë qartë se UÇK-ja ishte një organizatë çlirimtare që luftoi për lirinë e Kosovës. Ideali i saj ishte çlirimi, dinjiteti dhe e drejta e popullit për të jetuar i lirë në vendin e vet.

Po ashtu, LDK-ja ishte bartësja kryesore e rezistencës paqësore dhe e përpjekjeve politike për liri e pavarësi.

As lufta e UÇK-së dhe as filozofia politike e LDK-së nuk u krijuan për korrupsion, pasurim personal apo kapje të shtetit.

Megjithatë, sipas perceptimit të një pjese të madhe të qytetarëve, individë dhe grupe të caktuara brenda elitave politike shfrytëzuan autoritetin e fituar nga lufta ose nga trashëgimia politike e viteve të rezistencës për të ndërtuar rrjete pushteti dhe përfitimi.

Përmes kontratave publike, punësimeve partiake dhe ndikimit mbi institucionet, ata grumbulluan pasuri, privilegje dhe ndikim politik.

Gjatë këtyre dy dekadave, Kosova u përball me akuza të vazhdueshme për korrupsion, nepotizëm dhe keqpërdorim të institucioneve.

Shumë qytetarë ndjenë se besimi që kishin dhënë me votë nuk po përdorej për zhvillimin e ekonomisë, forcimin e arsimit, përmirësimin e sistemit shëndetësor apo ndërtimin e një shteti më funksional, por për ruajtjen e interesave të një klase politike të privilegjuar.

Pikërisht ky zhgënjim i grumbulluar ndër vite krijoi terrenin që Albin Kurti dhe lëvizja që ai udhëheq të fitonin mbështetje të gjerë.

Shumë votues nuk e panë Kurtin thjesht si një politikan tjetër, por si alternativën ndaj modelit të vjetër të qeverisjes që i kishte lodhur dhe zhgënjyer qytetarët.

Prandaj, nëse opozita e sotme dëshiron të kthehet në pushtet , ajo duhet të reformohet thellësisht, të sjellë kuadro të reja dhe t’i largojë nga vendimmarrja figurat e vjetra politike që vazhdojnë të mbajnë barrën e gabimeve dhe dështimeve të së kaluarës. Vetëm kështu mund të krijojë hapësirë për një brez të ri politikanësh dhe të rikthejë besimin e qytetarëve, veçanërisht të rinisë.

Opozita duhet të përballet me sinqeritet me gabimet e së kaluarës, të rikthejë besimin e humbur dhe të bindë qytetarët se përfaqëson një alternativë të re, të besueshme dhe një ndryshim të vërtetë për Kosovën.

Derisa kjo të mos ndodhë, Kurti do të mbetet alternativa më e besueshme përballë atyre që kanë qeverisur Kosovën për më shumë se dy dekada.

Qytetarët nuk e kanë harruar të kaluarën, por e mbajnë mend shumë mirë se çfarë i ka sjellë opozita këtij vendi.

Dhe derisa opozita të mos reformohet rrënjësisht dhe të mos largohet ndikimi i figurave të vjetra nga kryesitë e partive të tyre, Kurti do të vazhdojë të shihet si alternativa dominuese dhe e pakontestueshme.

Vjen pyetja: Kush përfitoi nga sakrifica e popullit dhe kush janë ata politikanë që në emër të lirisë së Kosovës u pasuruan?

Kush ishin ata që në emër të luftës dhe të UÇK-së kërkonin nënshtrim dhe përpiqeshin të shuanin zërin e atyre që i kritikonin, duke u thënë: “mos vidhni, mos vrisni”?

Sot, populli e ka parë se nga kush u keqpërdor liria e fituar me gjak dhe kush ishin ata që e përdorën idealin e çlirimit për interesa personale.

Në Kosovën e pasluftës, ku lirinë na e solli Amerika, trashëgiminë e luftës e morën disa të ashtuquajtur “çlirimtarë”, të cilët u pasuruan dhe u bënë pushtetarë të fuqishëm, madje më të rëndësishëm se vetë shteti.

Në këtë logjikë politike, diferenca e fitoreve të Kurtit nuk është e ngushtë, por e thellë — jo “4 me 1”, siç ka thënë Shpend Ahmeti, por “10 me 0”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat