A mund të realizohet vullneti politik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën pa ndarjen e Kosovës?

Opinione

A mund të realizohet vullneti politik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën pa ndarjen e Kosovës?

Nga: Nehat Hyseni Më: 27 shtator 2026 Në ora: 16:26
Nehat Hyseni - Zëdhënës i Referendumit

(Referendumi i 1–2 marsit 1992, integriteti territorial i Kosovës dhe dilema strategjike e shqiptarëve të Luginës)

Ekzistojnë çështje politike që mund të shtyhen përkohësisht, por nuk mund të zhduken vetëm duke mos i përmendur. Njëra prej tyre është çështja e vullnetit politik të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, e shprehur në Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992 për autonomi politike e territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën.

Referendumi u zhvillua në një prej momenteve më dramatike të shpërbërjes së Jugosllavisë.

Rreth 46 mijë votues morën pjesë dhe rreth 98 për qind u shprehën në favor të opsionit të paraqitur.

Ky dokument politik nuk është realizuar!

Por fakti që një objektiv politik nuk është realizuar për më shumë se tri dekada nuk do të thotë automatikisht se ai objektiv nuk ekziston më në kujtesën politike të një komuniteti.

Këtu fillon dilema e sotme!

A mund të kërkohet realizimi i vullnetit të vitit 1992 pa pranuar, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, ndarjen e Kosovës?

Dhe pyetja tjetër, ndoshta edhe më e rëndësishme:

A është e mundur që bashkimi i Luginës me Kosovën të jetë pjesë e një zgjidhjeje të ardhshme, ndërsa integriteti territorial i Kosovës të mbetet i paprekur?

Kjo nuk është vetëm pyetje për Preshevën.

Është pyetje për Kosovën, Serbinë, Shqipërinë, Bashkimin Evropian dhe mbi të gjitha për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Referendumi i vitit 1992 – çfarë u kërkua në të vërtetë?

Një prej gabimeve më të shpeshta në diskursin politik është reduktimi i referendumit të vitit 1992 vetëm në formulën:

“Bashkim me Kosovën.”

Kjo nuk është e plotë!

Formulimi i referendumit ishte më kompleks: autonomi politike dhe territoriale e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, me të drejtë bashkimi me Kosovën.

Pra, kemi pasur dy elemente të lidhura:

autonominë politike-territoriale, dhe

të drejtën e bashkimit me Kosovën.

Kjo është e rëndësishme për interpretimin historik.

Referendumi nuk ishte thjesht një deklaratë sentimentale. Ai ishte një instrument politik i përdorur nga përfaqësuesit shqiptarë në një periudhë kur Jugosllavia po shpërbëhej dhe kur pyetja e kufijve, vetëvendosjes dhe statusit politik të popujve ishte bërë çështje qendrore e Evropës Juglindore.

Më 16 shkurt 1992 është mbajtur në Preshevë një kuvend me 96 delegatë, ku u diskutuan disa variante të autonomisë, ndërsa më 1–2 mars u zhvillua referendumi.

Prandaj, nga këndvështrimi historik, referendumi duhet trajtuar si një dokument politik i një epoke të caktuar, jo si një dokument që vetvetiu prodhon sot ndryshim kufijsh!

Ky dallim është themelor!

Një referendum mund të dëshmojë vullnetin politik të një popullsie. Por realizimi territorial i atij vullneti kërkon edhe rrethana politike, juridike dhe ndërkombëtare që nuk krijohen vetëm nga rezultati i referendumit.

Vetëvendosja nuk është e njëjtë me ndryshimin automatik të kufijve

Këtu ndodhemi përballë një prej çështjeve më të ndërlikuara të së drejtës ndërkombëtare.

E drejta e popujve për vetëvendosje është e njohur në të drejtën ndërkombëtare. Neni 1 i Pakteve Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike dhe për të Drejtat Ekonomike, Sociale e Kulturore përcakton se popujt kanë të drejtë të përcaktojnë lirisht statusin e tyre politik dhe të ndjekin zhvillimin e tyre ekonomik, social e kulturor.

Por sistemi ndërkombëtar njëkohësisht mbron integritetin territorial të shteteve. Karta e OKB-së ndalon përdorimin e forcës kundër integritetit territorial ose pavarësisë politike të një shteti.

Prandaj, në praktikën ndërkombëtare ekziston një tension i vazhdueshëm ndërmjet dy parimeve:

vetëvendosjes së popujve

dhe

integritetit territorial të shteteve.

Asnjë analizë serioze e çështjes së Luginës nuk mund ta anashkalojë këtë realitet.

Madje edhe Opinioni Këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i vitit 2010 duhet lexuar me kujdes. Gjykata konstatoi se deklarata e pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2008 nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. Por kjo nuk ishte një vendim që krijonte një rregull të përgjithshëm se çdo komunitet etnik ka automatikisht të drejtë të shkëputet dhe të bashkohet me një shtet tjetër.

Prandaj:

Referendumi i vitit 1992 është argument politik dhe historik; nuk është një akt juridik që ndryshon kufijtë ndërkombëtarë!

Ky është dallimi që duhet t’u shpjegohet qytetarëve të Luginës dhe Kosovës pa retorikë populiste.

Paradoksi politik i diskursit shqiptar

Pikërisht këtu shfaqet një paradoks që meriton analizë të sinqertë.

Për më shumë se tri dekada, bashkimi me Kosovën ka qenë pjesë e rëndësishme e diskursit politik shqiptar në Luginën e Preshevës.

Në disa raste, ai është trajtuar si objektiv kombëtar!

Në raste të tjera, është përdorur edhe si instrument elektoral!

Kjo ka krijuar një situatë ku partitë politike mund të akuzonin njëra-tjetrën për mungesë patriotizmi vetëm pse formulonin ndryshe rrugën drejt mbrojtjes së interesave të shqiptarëve.

Në këtë mënyrë, një çështje historike dhe strategjike u rrezikua të shndërrohej në garë për monopol patriotik.

Por politika serioze kërkon diçka tjetër!

Ajo kërkon të bëhet dallimi ndërmjet:

qëllimit afatgjatë;

interesit të menjëhershëm të qytetarëve;

mundësisë juridike;

mundësisë diplomatike;

rrezikut gjeopolitik;

dhe propagandës elektorale.

Të thuash:

“Duam bashkimin me Kosovën”

është një qëndrim politik.

Të shpjegosh:

“Si mund të arrihet ky objektiv pa cenuar Kosovën dhe pa destabilizuar rajonin?”

është strategji politike.

Dhe këto dy gjëra nuk janë të njëjta.

Dilema e Daçiqit – kur “zgjidhja” serbe përfshin Luginën

Në këtë kontekst duhet kuptuar edhe diskutimi i viteve 2018–2019 për korrigjimin e kufijve ose për shkëmbimin territorial.

Në vitin 2018 u diskutua publikisht ideja që një pjesë e veriut të Kosovës, e banuar kryesisht me serbë, të mund të transferohej te Serbia në këmbim të territorit në Luginën e Preshevës.

Raportimet ndërkombëtare e paraqitën këtë si një variant të “land swap”, “border adjustment” ose, sipas kritikëve të saj, si një formë potenciale të ndarjes së Kosovës.

Ivica Dačić, në atë periudhë një prej zyrtarëve kryesorë të politikës së jashtme serbe, e lidhte diskutimin me një zgjidhje të mundshme të marrëdhënieve Kosovë–Serbi dhe shprehte shqetësim për pretendimet ndaj Bujanocit dhe Preshevës.

Këtu lind pyetja politike që nuk mund të shmanget:

Nëse Beogradi do të pranonte transferimin e Preshevës dhe Bujanocit drejt Kosovës vetëm në këmbim të territoreve të veriut të Kosovës, a do të ishte kjo realizimi i vullnetit të vitit 1992 apo do të ishte një marrëveshje krejtësisht tjetër?

Përgjigjja kërkon kujdes!

Do të ishte, në thelb, një marrëveshje territoriale e ndërsjellë, jo realizim i pastër dhe i njëanshëm i referendumit të vitit 1992.

Dhe pikërisht këtu qëndron problemi strategjik!

Nëse çmimi i Luginës do të ishte territori i Kosovës, shqiptarët do të përballeshin me dilemën:

A mund të quhet fitore kombëtare një bashkim që realizohet duke humbur territor të Kosovës?

Kjo nuk është pyetje për t’u përgjigjur me slogane.

Është pyetje që duhet t’i nënshtrohet debatit të hapur politik, juridik dhe shoqëror.

A është ndarja e Kosovës interes strategjik i Serbisë?

Nuk është e nevojshme të supozohet një motiv i fshehtë për të analizuar këtë çështje.

Nëse një marrëveshje do të sillte transferimin e një pjese të veriut të Kosovës te Serbia, ndërsa Presheva dhe Bujanoci do t’i kalonin Kosovës, rezultati territorial do të ishte një ndryshim i kufirit ekzistues ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kjo është faktikisht, pavarësisht se si emërtohet politikisht: korrigjim, shkëmbim, rregullim ose ndarje.

Pikërisht për këtë arsye ideja shkaktoi kundërshtime të forta në Evropë.

Në vitin 2018 Gjermania dhe disa vende të tjera evropiane paralajmëruan për rrezikun e rihapjes së kufijve mbi baza etnike dhe për efektet destabilizuese që një skenar i tillë mund të kishte në Ballkan.

Nga ana tjetër, duhet pranuar se në vitin 2018 pati edhe zyrtarë amerikanë që sinjalizuan se nuk do ta përjashtonin apriori një marrëveshje të tillë nëse ajo do të arrihej nga vetë palët. Një raport i Shërbimit Kërkimor të Kongresit amerikan dokumentonte pikërisht këtë ndryshim të përkohshëm në diskursin amerikan.

Por konteksti amerikan ka ndryshuar!

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për opinionin e sotëm shqiptar.

Qëndrimi aktual amerikan është shumë më i qartë

Në vitin 2025 Kongresi i Shteteve të Bashkuara miratoi një dispozitë që përcakton politikën amerikane për Ballkanin Perëndimor.

Teksti aktual i ligjit amerikan thotë se politika e Shteteve të Bashkuara nuk duhet të ndjekë politika që promovojnë shkëmbime territoresh, ndarje ose forma të tjera të rishikimit të kufijve mbi baza etnike si mënyrë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet shteteve të rajonit. Po ai tekst mbështet demokracitë pluraliste në Ballkanin Perëndimor.

Ky është zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm!

Sepse nëse pyetja shtrohet:

“A mund të realizohet bashkimi i Luginës duke e futur në një projekt të shkëmbimit territorial me veriun e Kosovës?”

përgjigjja sot për opinionin euroatlantik është dukshëm më e komplikuar se në vitin 2018.

SHBA ka sot një bazë ligjore shumë më të qartë kundër promovimit të shkëmbimeve territoriale dhe ndarjeve mbi baza etnike në Ballkan.

Kjo nuk do të thotë se e ardhmja diplomatike është e paracaktuar përgjithmonë.

Por do të thotë se strategjia shqiptare nuk mund të ndërtohet mbi supozimin se Uashingtoni do të mbështeste automatikisht një shkëmbim territorial.

Kjo do të ishte një llogaritje e gabuar!

Prandaj, problemi duhet riformuluar

Në vend të pyetjes:

“Si ta marrim Luginën?”

strategjia politike shqiptare do të duhej ta formulonte pyetjen:

“Si mund të krijohen kushtet politike dhe juridike që vullneti i shqiptarëve të Luginës, i shprehur në vitin 1992, të trajtohet në mënyrë serioze në një marrëveshje përfundimtare Kosovë–Serbi, pa cenuar territorin e Kosovës?”

Ky është ndryshim i madh konceptual.

Sepse e zhvendos çështjen:

nga shkëmbimi territorial

në zgjidhjen gjithëpërfshirëse të çështjes shqiptare në Luginë.

Kjo mund të përfshijë disa nivele.

E para – njohja politike e referendumit

Referendumi i vitit 1992 duhet të ruhet si dokument historik i vullnetit politik të shqiptarëve.

Jo si instrument për tensionim.

Jo si slogan elektoral.

Por si dokument politik që duhet të jetë pjesë e arkivit diplomatik të çështjes së Luginës.

E dyta – të drejtat kolektive

Para se të diskutohet kufiri, duhet të diskutohet realiteti i qytetarëve: arsimi, përdorimi i gjuhës shqipe, përfaqësimi proporcional, punësimi, zhvillimi ekonomik, dokumentet, administrata, siguria, përfaqësimi institucional, demografia, diskriminimi dhe depopullimi.

Një politikë serioze për Luginën nuk mund të jetë vetëm politikë territori!

Duhet të jetë edhe politikë e njerëzve.

Por a përjashtohet përgjithmonë bashkimi territorial?

Jo!

Këtu duhet bërë një dallim i rëndësishëm!

Të thuash se sot nuk ekziston një mekanizëm automatik për bashkimin e Luginës me Kosovën nuk do të thotë të thuash se ndryshimet territoriale janë juridikisht të pamundura në çdo rrethanë të ardhshme.

Historia evropiane tregon se kufijtë mund të ndryshojnë.

Por në rendin bashkëkohor ndërkombëtar ndryshimet e kufijve zakonisht kërkojnë:

marrëveshje ndërmjet palëve;

procedura kushtetuese;

legjitimitet demokratik;

garanci për të drejtat e komuniteteve;

mbështetje ose pranim ndërkombëtar;

dhe një proces që nuk kërcënon paqen rajonale.

Edhe marrëveshja e vitit 2023 për normalizimin e raporteve Kosovë–Serbi e vendos në qendër parimin e paprekshmërisë së kufijve, integritetit territorial, sovranitetit dhe vetëvendosjes, krahas mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve.

Prandaj, në një të ardhme të largët, nëse do të krijohej një marrëveshje e re gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të përjashtohet teorikisht që palët të diskutojnë edhe çështje territoriale.

Por kjo do të ishte një marrëveshje e re ndërkombëtare, jo zbatim automatik i referendumit të vitit 1992.

Krahasimi me serbët e Kosovës

Argumenti që shpesh përdoret në diskursin shqiptar është:

“Nëse shqiptarët e Luginës duan bashkimin me Kosovën, pse serbët e Kosovës nuk do të mund të duan bashkimin me Serbinë?”

Në nivelin e dëshirës politike, të dyja mund të ekzistojnë si aspirata.

Por në nivelin juridik dhe politik, çështja nuk zgjidhet me simetri matematikore!

Nëse pranohet parimi:

“Çdo komunitet etnik mund t’i bashkohet shtetit ku jeton shumica e kombit të vet”,

atëherë Ballkani do të hynte në një logjikë të pafundme të rishikimit të kufijve.

Prandaj rendi ndërkombëtar kërkon një ekuilibër ndërmjet vetëvendosjes, të drejtave të komuniteteve dhe integritetit territorial.

Kjo është arsyeja pse edhe dokumentet ndërkombëtare flasin njëkohësisht për vetëvendosjen dhe integritetin territorial.

Në këtë kuptim, çështja shqiptare në Luginë nuk duhet të ndërtohet mbi tezën:

“Nëse serbët kanë këtë të drejtë, atëherë e kemi edhe ne!”

Ajo duhet të ndërtohet mbi një argument më të fuqishëm:

“Çështja e shqiptarëve të Luginës duhet të jetë pjesë e një zgjidhjeje të drejtë, demokratike dhe të qëndrueshme të marrëdhënieve Kosovë–Serbi.”

Kjo është gjuhë shumë më e kuptueshme për diplomacinë euroatlantike.

Çfarë do të duhej të kërkonte politika shqiptare?

Nëse qëllimi është ruajtja e interesit kombëtar pa dëmtuar Kosovën, atëherë një platformë serioze mund të mbështetet në disa shtylla.

1. Referendumi i vitit 1992 si dokument themelor

Vullneti i shprehur atëherë nuk duhet as të mohohet, as të instrumentalizohet.

Duhet të dokumentohet, botohet dhe prezantohet ndërkombëtarisht.

2. Lidhja e çështjes së Luginës me dialogun Kosovë–Serbi

Çështja e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë nuk duhet të trajtohet si çështje thjesht lokale.

Ajo ka dimension bilateral, rajonal dhe evropian.

3. Pa shkëmbim me territorin e Kosovës

Ky është dallimi që duhet të bëhet qartë.

Bashkimi i Luginës me Kosovën nuk duhet të kushtëzohet politikisht nga dorëzimi i territorit të Kosovës.

Kjo nuk do të thotë të shpallet sot një formulë juridike për ndryshim kufijsh.

Do të thotë se interesat e shqiptarëve të Luginës nuk duhet të përdoren si kundërvlerë territoriale për territorin e Kosovës.

4. Zgjidhja duhet të jetë paqësore

Asnjë strategji moderne shqiptare nuk mund të mbështetet në konflikt.

Për SHBA-në dhe BE-në, stabiliteti është pjesë e vetë zgjidhjes.

5. Presheva, Bujanoci dhe Medvegja nuk mund të trajtohen njësoj pa analizë

Edhe brenda Luginës ekzistojnë dallime demografike, politike dhe administrative.

Prandaj një platformë e ardhshme duhet të bazohet në të dhëna reale dhe jo në një hartë politike të ngrirë në vitin 1992.

6. Duhet të ndërtohet konsensus shqiptar

Ndarja ndërmjet partive shqiptare në Preshevë dhe Bujanoc për mënyrën se si duhet artikuluar çështja e Luginës ka dobësuar shpesh peshën politike të saj.

Nuk është e domosdoshme që të gjitha partitë të kenë të njëjtën ideologji.

Por do të ishte e dobishme të ekzistonte një minimum i përbashkët strategjik.

Çfarë duhet t’i thuhet Washingtonit?

Për opinionin amerikan duhet folur në një gjuhë që lidh interesin shqiptar me parimet amerikane të stabilitetit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Jo:

“Na jepni territore!”

Por:

“Na ndihmoni që çështja e shqiptarëve të Luginës të trajtohet si pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, demokratike dhe të qëndrueshme Kosovë–Serbi!”

Kjo është shumë më e rëndësishme në kontekstin aktual amerikan.

Sidomos sepse politika amerikane e kodifikuar në vitin 2025 kundërshton promovimin e shkëmbimeve territoriale dhe ndarjeve mbi baza etnike në Ballkan.

Prandaj shqiptarët e Luginës nuk duhet ta vendosin Washingtonin përballë një zgjedhjeje:

“Ose na mbështesni ne, ose jeni kundër nesh!”

Diplomacia moderne nuk funksionon kështu.

Argumenti më efektiv është:

“Ne kërkojmë një zgjidhje që forcon stabilitetin, demokracinë, të drejtat e shqiptarëve dhe integritetin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.”

Çështja e Luginës nuk duhet

të sakrifikojë Kosovën

Këtu ndodhet thelbi i gjithë debatit!

Nëse dikush thotë:

“Le ta marrim Luginën, edhe nëse humbet veriu i Kosovës”,

atëherë ai nuk po propozon më thjesht realizimin e referendumit të vitit 1992.

Ai po propozon një shkëmbim territorial!

Këto janë dy projekte të ndryshme.

Dhe pikërisht këtu duhet të jetë e qartë përgjegjësia e politikës shqiptare.

Referendumi i vitit 1992 nuk duhet të përdoret si argument për të pranuar ndarjen e Kosovës.

Përkundrazi, ai mund të përdoret si argument për të thënë:

Shqiptarët e Luginës e kanë shprehur vullnetin e tyre; tani duhet të gjendet një mënyrë paqësore, demokratike dhe ndërkombëtarisht e pranueshme për trajtimin e këtij vullneti.

Kjo është një qasje shumë më e qëndrueshme.

Një formulë e mundshme:

“Lugina pa ndarje”

Në vend që çështja të formulohet si:

Lugina kundër Kosovës,

ose:

Lugina në këmbim të veriut të Kosovës,

duhet të ndërtohet një koncept i tretë:

“Lugina pa ndarje të Kosovës!”

Ky koncept do të kishte kuptimin e mëposhtëm:

vullneti i shqiptarëve të Luginës duhet të mbetet pjesë e agjendës politike dhe diplomatike, por realizimi i tij nuk duhet të kërkojë si parakusht humbjen e territorit të Kosovës.

Kjo formulë nuk pretendon se ndryshimi territorial mund të bëhet nesër.

As nuk pretendon se komuniteti ndërkombëtar e ka pranuar një zgjidhje të tillë.

Ajo vendos një parim strategjik:

Interesi i shqiptarëve të Luginës dhe integriteti territorial i Kosovës nuk duhet të vendosen artificialisht përballë njëri-tjetrit!

Përfundim

Pas 34 vjetësh nga Referendumi i 1–2 marsit 1992, çështja e Luginës kërkon një gjuhë të re politike.

Jo sepse referendumi ka humbur rëndësinë.

Përkundrazi!

Ai mbetet një nga dokumentet më të rëndësishme të historisë politike moderne të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Por një dokument historik nuk mund të zëvendësojë strategjinë.

Sot nuk mjafton të thuhet:

“Duam bashkimin me Kosovën!”

Duhet të shtrohet pyetja:

Si?

Me çfarë marrëveshjeje?

Me çfarë garancishë?

Në çfarë procesi?

Me çfarë mbështetjeje ndërkombëtare?

Dhe, mbi të gjitha:

A duhet të paguajë Kosova me territor për realizimin e vullnetit të shqiptarëve të Luginës?

Në kushtet e politikës aktuale amerikane, e cila tashmë shprehimisht kundërshton promovimin e shkëmbimeve territoriale dhe ndarjeve mbi baza etnike në Ballkan, strategjia e bazuar në “shkëmbim territoresh” do të përballej me një pengesë të rëndësishme politike në Washington.

Kjo e bën edhe më të domosdoshme një riformulim të politikës shqiptare.

Lugina nuk duhet harruar!

Referendumi nuk duhet mohuar!

Vullneti politik nuk duhet relativizuar!

Por as Kosova nuk duhet të sakrifikohet si çmim për realizimin e tij!

Prandaj, përgjigjja më e saktë ndaj pyetjes së shtruar në fillim është kjo:

Po, në planin politik dhe diplomatik mund të imagjinohet një e ardhme në të cilën statusi i Luginës trajtohet në një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe, teorikisht, edhe çështja territoriale mund të bëhet objekt negociimi.

Por nuk ekziston sot një rrugë automatike juridike që referendumi i vitit 1992 ta bashkojë Luginën me Kosovën. Dhe, në kushtet aktuale, një formulë që do ta kushtëzonte këtë bashkim me ndarjen ose humbjen e territorit të Kosovës do të ishte një projekt politik krejt tjetër nga ai i referendumit të vitit 1992 dhe do të binte ndesh me politikën aktuale amerikane kundër ndarjeve dhe shkëmbimeve territoriale mbi baza etnike në Ballkan.

Kjo është pikërisht arsyeja pse çështja duhet të kalojë nga retorika e patriotizmit elektoral në strategjinë e diplomacisë shtetërore dhe kombëtare!

Dhe këtu qëndron sfida e vërtetë për politikën shqiptare të Luginës:

të mos zgjedhë ndërmjet Luginës dhe Kosovës, por të ndërtojë një politikë që e mbron Luginën pa e dëmtuar Kosovën.

Nëse kjo arrihet, atëherë Referendumi i 1–2 marsit 1992 nuk mbetet thjesht një kujtim historik.

Ai bëhet pikënisje për një agjendë të re politike, diplomatike dhe euroatlantike për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Preshevë, shtator 2026

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat