Një kërcënim i ri për Shqipërinë.1997-ta. Një udhëtim i vështirë

Opinione

Një kërcënim i ri për Shqipërinë.1997-ta. Një udhëtim i vështirë

Nga: Hajro Limaj Më: 25 tetor 2026 Në ora: 16:37
Hajro Limaj

Në kuadrin e operacionit të OKB-së “Alba”, Turqia kishte dislokuar në Zall-Herr, Shqipëri, 900 trupa. Zonat e veprimit ishin në mbrojtje të aeroportit të Rinasit, të zonës perëndimore të Tiranës dhe të aksit rrugor deri në Burrel. Këto trupa ishin pjesë organike e Brigadës së Këmbësorisë Detare, Foça, në jug të Izmirit.

Për të inspektuar këto trupa dhe për të zhvilluar takime të nivelit të lartë, më 9 maj 1997, në orën 07:45, me avionin e posaçëm të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe Komandantit të Forcave të Armatosura të Turqisë, gjeneralit të armates İsmail Hakkı Karadayı, u nisëm për në Tiranë.

Në orën 10:00 mbërritëm në aeroportin ushtarak të Rinasit, ku u pritëm nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Adem Çopani. Nga aeroporti u nisëm me makina të blinduara ushtarake, nën masa të forta sigurie, drejt Zall-Herrit. Kur dolëm nga aeroporti, në të dyja anët e rrugës, njerëz të armatosur me automatikë hapnin zjarr me breshëri. Vendi ishte i drobitur dhe krejtësisht i pasigurt.

Në Zall-Herr, gjenerali Karadayı bëri një inspektim shumë të imët dhe dha udhëzimet e mëtejshme për realizimin e detyrave, veçanërisht për sigurimin e rendit dhe qetësisë gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme.

FOTOGRAFIA

Shefi i Shtatmadhorisë turke, gjeneral i armates İsmail Karadayı, me atasheun ushtarak të Shqipërisë, kolonel Limaj, duke hyrë në Presidencë për takim me z. Berisha.

Që andej shkuam në Presidencë, ku kishte një numër të kufizuar personeli të Gardës.

Kur hymë në sallën e pritjes, zoti Berisha nuk ndodhej aty. Erdhi pas tri minutash, me një ecje të drobitur dhe të kërrusur si asnjëherë tjetër. Pasi na përshëndeti, u ul në kolltuk dhe vendosi kokën midis dy duarve. Ishte shumë i lodhur dhe i stresuar. Që nga takimi i fundit, dukej se ishte dobësuar shumë.

Gjenerali Karadayı, pasi i përcolli përshëndetjet e presidentit Demirel, i dorëzoi atij një mesazh të presidentit turk, në një zarf të mbyllur, dhe e uroi për një kapërcim sa më të shpejtë të krizës që kishte mbërthyer Shqipërinë.

Presidenti Berisha, pasi lexoi mesazhin, e mori veten në çast dhe, pa pritur, deklaroi se “Partia Demokratike do t’i fitojë përsëri zgjedhjet e përgjithshme”.

“– Suksese! – e uroi gjenerali turk. – Por fillimisht dëshirojmë që Shqipëria të shpëtojë, të rimarrë veten dhe që së bashku të punoni për të mirën e saj!”

Më tepër ishte një takim kortezie sesa pune. Nuk dihej se si do të zhvilloheshin ngjarjet e mëtejshme.

Berisha na përcolli deri te dera e jashtme e godinës. Prej andej kaluam në Kryeministri. Në sallën e pritjes nuk ndodhej kryeministri Bashkim Fino. Pas dy minutash, ai hyri me vrull dhe, duke i kërkuar të falur gjeneral Karadayıt për shkak të një takimi urgjent që kishte pasur, filloi diskutimin.

Çuditërisht, dukej tepër energjik dhe me humor. Takimin e ktheu në një bisedë të ngrohtë, tepër miqësore dhe shumë shpresëdhënëse për të ardhmen. Ai e informoi gjeneralin se ishin marrë të gjitha masat që Shqipëria të shmangte çdo lloj trazire të mëtejshme dhe se zgjedhjet do të zhvilloheshin të qeta, me masa të forta sigurie.

Karadayı e vlerësoi shumë qëndrimin dhe sjelljen e kryeministrit të ri, “këtij djali energjik, që i shkëlqenin sytë”.

Drekën zyrtare, të shtruar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Çopani, e hëngrëm në Shatolinz.

Nga situata që ndeshnim kudo, të gjithë ishim të menduar dhe flisnim shumë pak. Njerëz të armatosur dhe batare kishte kudo, madje edhe shumë njerëz të moshave të ndryshme, përfshirë fëmijë 10–14-vjeçarë, ishin të armatosur. Këto pamje të shkaktonin dhimbje për atdheun. Këtë gjendje, më shumë se kushdo, e kuptojnë ushtarakët e lartë.

Edhe dreka sikur hahej në një dhomë frigoriferike, me çaste heshtjeje të plotë ose me fjali të shkurtra e të pakta. Me masa të gjithanshme sigurie, u rikthyem në Rinas.

Në kthim, gjatë udhëtimit me avionin special, drejtpërdrejt për në Ankara, gjenerali Karadayı pothuajse nuk foli fare. Gjatë gjithë kohës qëndroi i heshtur dhe me vështrimin e humbur në mendime.

Pak para mbërritjes në Ankara, ai m’u drejtua mua dhe, me qetësi, më tha:

“Zoti kolonel, e thëna dhe e para me sy nuk janë njësoj... Të ta thonë dhe ta lexosh është tjetër gjë, ndërsa ta shikosh drejtpërdrejt, me sytë e tu, gjendjen e Shqipërisë, është diçka krejt tjetër. Inshallah, qoftë me kaq! Historia do t’i dënojë të gjithë ata, qofshin të brendshëm, qofshin të jashtëm. Po të kishte ndodhur në Turqi, ne do t’i kishim varur në qendër të Ankarasë.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat