Shqipëria nuk ka nevojë për riciklimin e krizave partiake, por për një përgjegjësi të re politike dhe kombëtare.
Zhvillimet e fundit në Tiranë, ku studentët kanë refuzuar bashkimin me deputetët e Partisë Demokratike, duke përcjellë mesazhin “Opozita jemi ne”, përbëjnë një sinjal domethënës për gjendjen e demokracisë dhe krizën e përfaqësimit politik në Shqipëri.
Ky qëndrim meriton të analizohet përtej përplasjes së zakonshme ndërmjet pozitës dhe opozitës. Kjo shpreh një problem shumë më të thellë, humbjen e besimit të një pjese të qytetarëve, veçanërisht të rinisë, ndaj një klase politike që ende nuk po arrin të ofrojë bindje, perspektivë dhe alternativa të besueshme për të ardhmen e vendit.
Mesazhi i studentëve është i qartë, pakënaqësia qytetare nuk është pronë e partive politike dhe asnjë subjekt politik nuk mund ta përvetësojë një protestë që buron nga kërkesat e pavarura të qytetarëve. Refuzimi i bashkimit me deputetët e PD-së nuk duhet interpretuar domosdoshmërisht si mbështetje për qeverinë, por si dëshirë për të ruajtur autonominë e lëvizjes së tyre.
Në një demokraci funksionale, opozita ka detyrimin të kontrollojë pushtetin, të denoncojë keqpërdorimet dhe të ofrojë alternativa konkrete qeverisëse. Mirëpo, ky rol nuk i jep të drejtën të pretendojë përfaqësimin automatik të çdo pakënaqësie shoqërore. Po kështu, qeveria nuk mund ta konsiderojë çdo protestë si sulm politik apo përpjekje për destabilizim.
Kur rinia refuzon të identifikohet me përfaqësuesit e opozitës, klasa politike duhet të reflektojë mbi arsyet e këtij distancimi. Problemi nuk kufizohet vetëm te kush qeveris, por edhe te mungesa e besimit në alternativat që ofrohen. Kjo është një krizë e përfaqësimit politik, e cila nuk zgjidhet me deklarata dhe akuza të ndërsjella, por me përgjegjësi publike, transparencë dhe reforma institucionale.
Një ndër kërkesat themelore të një shoqërie demokratike është drejtësia e barabartë për të gjithë. Çdo pretendim për korrupsion, abuzim me pushtetin apo shkelje ligjore duhet të hetohet nga institucionet e pavarura, pa dallim të pozitës politike apo ndikimit të personave të përfshirë. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, por asnjë individ nuk mund të shpallet fajtor pa një proces të rregullt gjyqësor. Drejtësia nuk duhet të ketë ngjyra partiake, sepse vetëm kështu mund të ndërtohet besimi në shtet.
Shqipëria nuk është vetëm arenë e konkurrencës politike të brendshme. Shqipëria është një faktor i rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor dhe në proceset e integrimit euroatlantik. Për këtë arsye, polarizimi i vazhdueshëm, dobësimi i institucioneve dhe largimi i të rinjve nga besimi në shtet nuk janë vetëm probleme të një qeverie apo mandati politik, por shqetësime me pasoja për zhvillimin dhe perspektivën kombëtare.
Kombi nuk ndërtohet vetëm me deklarata patriotike, flamuj dhe retorikë politike. Kombi ndërtohet me institucione të besueshme, arsim cilësor, ekonomi funksionale, drejtësi të pavarur dhe mundësi të barabarta për qytetarët. Rinia shqiptare duhet të ketë perspektivë në vendin e vet, pa u detyruar të kërkojë të ardhmen larg atdheut dhe pa u shndërruar në instrument të interesave partiake.
Prandaj, protesta paqësore dhe kërkesa për llogaridhënie janë pjesë e pandashme e demokracisë. Por edhe protestës i duhet një drejtim politik e qytetar, kërkesa të qarta dhe objektiva konkrete, në mënyrë që pakënaqësia të shndërrohet në ndryshim të qëndrueshëm institucional.
Mesazhi “Opozita jemi ne” duhet të shërbejë si paralajmërim serioz për të gjithë klasën politike shqiptare. Kjo nuk është thjesht një slogan proteste, por një sfidë ndaj mënyrës se si konceptohet dhe ushtrohet përfaqësimi politik. Asnjë lider nuk është mbi shtetin, asnjë parti nuk është pronare e demokracisë dhe asnjë pushtet nuk mund ta zëvendësojë vullnetin e qytetarëve.
Shqipëria ka nevojë për një kulturë të re politike, ku përgjegjësia të jetë më e fortë se propaganda, institucionet më të rëndësishme se individët dhe interesi kombëtar më i lartë se çdo interes partiak.
Nuk mund të pretendojmë një Shqipëri të fortë, nëse rininë e lëmë pa perspektivë, drejtësinë pa pavarësi dhe politikën pa përgjegjësi. E ardhmja e vendit nuk mund të ndërtohet mbi riciklimin e konflikteve të vjetra, por mbi një kontratë të re besimi ndërmjet qytetarit dhe shtetit.
Shqipëria nuk është pronë e partive dhe as e liderëve politikë. Shqipëria është atdheu ynë i përbashkët, amanet i brezave dhe përgjegjësi kombëtare.