Muret mund t’i zhveshin, por historinë nuk kanë as kapacitet e as fuqi ta fshijnë kurrë

Opinione

Muret mund t’i zhveshin, por historinë nuk kanë as kapacitet e as fuqi ta fshijnë kurrë

Nga: Petrit Dibrani Më: 9 nëntor 2026 Në ora: 21:00
Petrit Dibrani

Muret e zhveshura të shtetit!

Kur hipokrizia politike tenton të fshijë Rugovën! 

Vendimi për largimin e fotografisë së Presidentit Historik, dr. Ibrahim Rugova, dhe Deklaratës së Pavarësisë nga vendet e tyre të nderit në Presidencë, kapërcen çdo kufi. 

Ky nuk është një "riorganizim enterieri".

Ky është një sulm direkt ndaj kujtesës sonë kolektive dhe një përpjekje e qëllimshme për të zhveshur institucionet nga vetë shpirti i shtetndërtimit.

Ajo që të vret më së shumti është hipokrizia e skajshme e kësaj kaste politike. 

Janë të njëjtit që "pajtohen" me lehtësinë më të madhe për ndarjen e pushtetit dhe kolltukëve. 

Janë të njëjtit që përulen para varrit të dr. Ibrahim Rugovës sa herë që u duhen votat e qytetarëve. 

Por, sapo sigurojnë rehatinë e zyrave, portreti i njeriut që vuri themelet e kësaj Republike trajtohet si pengesë vizuale.

Ky vendim skandaloz shpërfaq hapur një të vërtetë të hidhur: mungesën e tmerrshme të kapacitetit intelektual dhe patriotik të atyre që sot udhëheqin. 

Presidenca nuk është pronë private e askujt. 

Të guxosh të largosh nga muret figurën që nderohet deri në Parlamentin Evropian dhe Amerikë, tregon vetëm një mjerim të thellë politik.

Çfarë mesazhi u dërgohet sot qytetarëve? 

Çfarë shohin delegacionet e huaja? 

Shohin mure të zhveshura nga historia, sikur shteti të fillonte dhe të mbaronte me udhëheqësit e sotëm.

Përpjekja për të zbehur praninë e Ibrahim Rugovës dhe të aktit të 17 Shkurtit 2008, është një betejë e humbur me përjetësinë. 

Trashëgimia e tyre është e gdhendur në themelet e kësaj toke. 

Rikthimi i menjëhershëm i këtyre simboleve në vendin e merituar është detyrim kombëtar dhe jo dëshirë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat