Italia provon për Lara Colturin

Skijim

Italia provon për Lara Colturin

Më: 19 prill 2025 Në ora: 13:19
Lara Colturi

Italia provon për Lara Colturin.

Federata Italiane Sportit Dimëror po tenton në limite për të veshur “axurre” skiatoren e talentuar 18-vjeçare, e cila që prej majit të 2022-shit është natyralizuar me pasaportë shqiptare.Pengesa e vetme deri më tani mbetet Federata Shqiptare e Skive që duhet të aprovojë lejen e largimit të Colturit brenda datës 1 maj.

Federata Shqiptare ka konfirmuar kërkesën e paraqitur nga Lara Kolturi për tu larguar nga Shqipëria, ndërsa shumë shpejt do të ketë një takim mes palëve, kur pritet të vijë edhe zyrtarizimi. Lara mbylli një sezon me rezultatet shumë të mira për Shqipërinë, duke shënuar tri podiume në etapat e Kupës së Botës.

Ndonëse në sezonin e saj të parë me të rriturat, ajo regjistroi dy vende të dyta në sllallomin gjigant dhe një vend të tretë në sllallom, për të mbyllur e teta renditjen në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës.

Tashmë Lara kërkon dritën jeshile për të pasur mundësinë e konkurrimit për Italinë. Tani topi është në anën e Federatës Shqiptare të Skive, pasi nëse kërkesa nuk pranohet deri më 1 maj, atëherë Lara do të mbetet pjesë e Shqipërisë ose mund të zgjedhë të qëndrojë pushim për një sezon

Por qëndrimi pushim për një vit duket një hipotezë e vështirë që të ndodhë, duke qenë se në prag janë Lojërat Olimpike Dimërore “Milano Kortina 2026”. Pra pauza 1 vjeçare do të kishte kosto të lartë, pasi do ta mbante Larën jo vetëm jashtë Kupës së Botës por do të humbiste gjithashtu edhe Olimpiadën Dimërore.

Për momentin, në ambientet e Federatës Italiane nuk ka as konfirmim dhe as përgënjeshtrim për afrimin e Lara Kolturit, ndërsa negociatat e skiatores me Federatën Shqiptare vijojnë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat