Momente shqetësuese në St. Moritz për skiatoren zvicerane, Michelle Gisin, dy herë kampione olimpike në kombinimin alpin.
Gjatë një seance stërvitore në prag të zbritjes të së premtes, e cila do të hapë sezonin e garave të shpejtësisë në Kupën e Botës për femra, 32-vjeçarja humbi kontrollin dhe u përplas me shpejtësi rreth 112 km/h në rrjetat e sigurisë, pa mundur të ngadalësonte.
Sipas raportimeve të SRF, Gisin qëndroi për disa minuta në anë të pistës, por fatmirësisht pa humbur vetëdijen. Ajo u transportua menjëherë me helikopter drejt spitalit për ekzaminime të detajuara.
Federata Zvicerane e Skive nuk ka dhënë ende një diagnozë zyrtare, por frika për një ndalim të gjatë është e pranishme.
“Michelle ishte e vetëdijshme pas rënies.
Ajo ankohej për dhimbje në krahun e djathtë dhe në gjurin e majtë”, deklaroi trajneri i skuadrës Beat Tschuor.
Incidenti solli ndërprerjen e gjatë të provës, e cila në fund u mbyll me kohën më të mirë të regjistruar nga Johana Hählen, me 1'32"70, 13 të qindtat më shpejt se Ester Ledecka.