Lindsey Vonn përfundon në rrjetë, gara e lëshimit anulohet

Skijim

Lindsey Vonn përfundon në rrjetë, gara e lëshimit anulohet

Më: 30 janar 2026 Në ora: 11:43
Lindsey Vonn

Gara e fundit e lëshimit në Kupën e Botës para Lojërave Olimpike Dimërore 2026 është anuluar pas vetëm gjashtë garueseve të para.

Arsyeja kryesore ishte dukshmëria e dobët dhe tri rrëzime që ndodhën në fillim të garës në Crans Montana.

Edhe pse disa skiatore që prisnin në start nuk u pajtuan me vendimin, organizatorët vendosën ta ndërpresin garën për arsye sigurie.

Gara u hap nga austriakja Nina Ortlieb, e cila përfundoi shpejt në rrjetë mbrojtëse. Fatmirësisht, ajo njoftoi në cak se nuk kishte pësuar lëndime.

Francezja Romane Miradoli arriti të përfundojë garën, por pak çaste më pas norvegjezja Marte Monsen pati një rrëzim shumë të rëndë, duke fluturuar mbi portë dhe u përplas në rrjetë. Ajo u largua nga pista me barelë.

Pas tyre, amerikania Jacqueline Wiles, e cila kishte kohën më të shpejtë, dhe zvicerania Corinne Suter mbërritën në cak, e më pas edhe legjenda amerikane Lindsey Vonn.

Skiatorja 41-vjeçare, më e suksesshmja në historinë e lëshimit dhe aktualisht lidere e disiplinës, gjithashtu përfundoi në rrjetë.

Ajo arriti të kalojë vijën e finishit, por gjatë zbritjes u pa duke kapur vazhdimisht gjurin e majtë, e cila iu përdredh gjatë rrëzimit.

Pastaj u bë njoftimi zyrtar për anulimin e garës.

Vendimi shkaktoi pakënaqësi te disa nga garueset në start, veçanërisht te italianet Laura Pirovano dhe Sofia Goggia, austriakja Cornelia Hütter dhe sllovenja Ilka Shtuhec.

Garat në Crans-Montana po zhvillohen gjithashtu në kujtim të 40 viktimave dhe 116 të lënduar nga zjarri tragjik gjatë një feste të Vitit të Ri në lokalin “Le Constellation”..

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat