Legjenda amerikane e skijimit, Lindsey Vonn, ka reaguar nga shtrati i spitalit në Itali, vetëm pak ditë pas rrëzimit të rëndë që i dha fund ëndrrës së saj për medalje olimpike në Lojërat Dimërore Milano-Cortina.
Ikona 41-vjeçare amerikane ndodhet në Spitalin Ca’ Foncello në Treviso, ku po rikuperohet.
Ajo konfirmoi në rrjetet sociale se ka kaluar me sukses operacionin e tretë.

Pavarësisht dhimbjeve të mëdha dhe faktit se rikthimi i saj përfundoi në mënyrë dramatike, Vonn ka treguar forcë të jashtëzakonshme.
“Sot suksesi ka një kuptim krejt tjetër nga ai i disa ditëve më parë.
Po përparoj, edhe pse ngadalë, dhe e di se do të jem mirë. Jam mirënjohëse për stafin e jashtëzakonshëm mjekësor, miqtë dhe familjen që janë pranë meje,” shkroi ajo, duke falënderuar edhe për mbështetjen e madhe nga e gjithë bota.
Ajo që tërhoqi menjëherë vëmendjen e ndjekësve dhe mediave botërore ishte optimizmi i saj.
Në fotografitë e publikuara, Vonn shihet me fiksues të jashtëm në këmbë, por në njërën foto ajo bën shenjën e “like”-ut, ndërsa në një tjetër buzëqesh.
Një imazh tjetër prekës tregon një karrocë të mbushur me buqeta lulesh dhe mesazhe mbështetjeje që kanë vërshuar në dhomën e saj – simbol i respektit dhe dashurisë globale për të.
Në komente nuk munguan mesazhet nga sportistë si Simone Biles dhe yje të Hollywood-it si Reese Witherspoon etj.