Skiatorja kroate: Jam larg medaljeve 

Skijim

Skiatorja kroate: Jam larg medaljeve 

Më: 15 shkurt 2026 Në ora: 20:58
Zrinka Ljuti

Skiatorja kroate Zrinka Ljutiç e mbylli garën në sllallomin e madh në Lojërat Olimpike Dimërore në Cortina d'Ampezzo në vendin e 17-të.

Ndonëse zbritja e parë ishte nën pritshmëritë e saj, ajo tregoi karakter në të dytën, duke avancuar gjashtë pozita dhe duke paralajmëruar luftë të madhe në disiplinën e saj më të fortë, sllallomin.

Pas vendit të 23-të në zbritjen e parë, 2.11 sekonda prapa lideres Federica Brignone, Zrinka Ljutiç vendosi të rrezikojë më shumë në të dytën.

Qasja më agresive dhe më e saktë i solli një ngjitje prej gjashtë pozitash dhe kohën totale 2:15.01, duke konfirmuar potencialin e saj në skenën më të madhe botërore.
“Zbritje shumë më e mirë e dyta, skijim më i mirë dhe jam e kënaqur me të.

Në fund, jam larg medaljeve, por më vjen mirë që skijova më mirë”, deklaroi ajo për mediumin kroat “HRT”.

Ajo theksoi se në zbritjen e parë kishte sektorë shumë të mirë, por në pjesën e poshtme i mungoi ndjesia e shpejtësisë dhe guximi për linja më direkte.

Po ashtu vlerësoi punën e teknikut të ri të skive, Mislav Samarzhija, bashkëpunëtor i gjatë i Ivica Kosteliqit, duke theksuar përgatitjen e shkëlqyer të pajisjeve.

Gara do të mbahet mend për triumfin e madh të Brignone, e cila fitoi medaljen e dytë të artë në këto Lojëra para publikut vendas. Kroatja nuk e fshehu admirimin për italianen: “Skijon në mënyrë të jashtëzakonshme, është shumë e shpejtë, e guximshme dhe me përvojë, kur të gjitha bashkohen, është e pabesueshme.”

Dramën e plotësoi lufta për vendet tjera në podium: suedezja Sara Hector dhe norvegjezja Thea Louise Stjernesund regjistruan kohë identike dhe ndanë medaljen e argjendtë.

Tani vëmendja e Zrinka Ljutiç është te sllallomi, ku ajo synon paraqitjen më të mirë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat