​Alvin Karaqi, karateisti që u bë mjek: Nga medaljet elitare te kujdesi për sportistët në Taranto

Sporti

​Alvin Karaqi, karateisti që u bë mjek: Nga medaljet elitare te kujdesi për sportistët në Taranto

Më: 3 shtator 2026 Në ora: 09:37
Alvin Karaqi

Alvin Karaqi është një prej figurave interesante të sportit, i cili karrierën sportive në karate e ka ndërthurur me profesionin e mjekut.

Ish-përfaqësuesi i Kosovës dhe Shqipërisë, në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” është pjesë e ekspeditës olimpike të Kosovës në një rol tjetër, atë të mjekut sportiv.

Karaqi, i cili është ortoped traumatolog, në një intervistë për KosovaPress ka rrëfyer për fillimet e tij në karate, kalimin nga përfaqësimi i Kosovës te Shqipëria, momentin kulmor të karrierës së tij në Lojërat Evropiane të vitit 2023, si dhe përvojën e veçantë në Taranto, ku po kujdeset për shëndetin e sportistëve kosovarë.

Karateja, siç tregon Karaqi, ka qenë sporti që e ka tërhequr që në fëmijëri. Dashuria për këtë sport nisi edhe nga filmat e arteve marciale, ndërsa më pas u shndërrua në një rrugëtim serioz sportiv.

“Karateja ka qenë sport që më ka pëlqyer që në fëmijëri. I kam shikuar filmat e Bruce Lee-së e Jackie Chan-it me prindërit edhe normal, si çdo fëmijë kam pasur dëshirë edhe me u rrahë. Si me u rrahë, më mirë me u rrahë diku me rregulla se sa pa rregulla, edhe normalisht prindërit më kanë vendosur. Faktikisht, në fillim ka qenë veç arsyeja për të më futur në sport, edhe karateja ka qenë fakëtikisht dashuria ime e parë e sporteve. Kemi provuar paralelisht edhe me futboll, basketboll, e ping pong por prej karatesë nuk kam mundur të shkëputem”, deklaroi Karaqi.

Karaqi ka treguar edhe për një kapitull të rëndësishëm të karrierës së tij, atë të vitit 2019, kur vendosi të kalonte nga përfaqësimi i Kosovës te Shqipëria. Ai thotë se vendimi erdhi pas disa mosmarrëveshjeve, të cilat sot i konsideron kapitull të mbyllur.

“Deri në vitin 2019 kam qenë përfaqësues i Kosovës, me medalje të mjaftueshme edhe nga aty. Pastaj kemi patur disa mosmarrëveshje të cilat kanë përfunduar dhe janë kapituj të cilat në detaje nuk kisha pasur dëshirë të hyj sepse me ata persona sot jemi mirë. I kemi kaluar ato gjëra, kanë qenë çështje politike ku kam hyrë unë dhe disa garues të tjerë mes dy zjarresh. Dhe thjesht jemi ndjerë psiqikisht shumë më mirë për Shqipërinë. Pastaj në vitin 2019 u bë kalimi pa ndonjë incident më të madh” , tregoi Karaqi.

Momentin më të rëndësishëm të karrierës së tij sportive, Karaqi e veçon vitin 2023, kur triumfoi në Lojërat Evropiane në Krakov, duke fituar medaljen e artë.

“Viti 2023 ka qenë faktikisht Lojërat Evropiane dhe medalja e artë ka qenë medalja ime më e suksesshme. Duke e pasur parasysh që së pari 8 më të mirët e Evropës kualifikohen atje. Unë isha i vetmi shqiptar që u kualifikua në 2015-ën në Baku, 2019-ën në Minsk edhe në 2023-shin në Krakov. Dy herët e para kam humbur në 3 sekondat e fundit medaljen, domethënë historia tentoi të përsëritet, edhe faktikisht e treta edhe kualifikimi ka qenë i papritur. Por është momenti im më kulmor për arsye se erdhi si kulminacion i gjithë atyre hjekave sepse unë kam pasur medalje evropiane, kam patur medalje në Premier League, në rangun botëror kam qenë i treti. Por ajo qershia mbi tortë, ajo për kapitullin e fundit kanë qenë ato Lojërat Evropiane dhe deshi Zoti me të artë”, theksoi Karaqi.

Përveç karrierës sportive, Karaqi ka ndërtuar edhe një karrierë në mjekësi, profesion të cilin sot e ushtron në Zvicër. Ai tregon se pas përfundimit të shkollës së mesme është përballur me një zgjedhje të vështirë mes dy pasioneve.

“Kur përfundova shkollën e mesme dhe u regjistrova në Fakultetin e Mjekësisë, ishte ai udhëkryqi ku ose sporti, ose mjekësia. Për mua ka qenë shumë e vështirë t'i ndajë të dyja. I vetmi kompromis që e kam bërë me veten ka qenë që nuk guxoj ta ulë paraqitjen time ose nuk guxoj të bie në performancë as në mjekësi, as në sport... Mjekësia gjithmonë ka qenë prioritet për arsye se do jetoj nga ajo”, tha Karaqi.

Në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, Karaqi është i angazhuar në një rol krejtësisht tjetër. Ai është pjesë e ekspeditës olimpike të Kosovës si mjek sportiv, ku po kujdeset për shëndetin e sportistëve të Kosovës.

“Kam pasur nderin të jem i ftuar nga sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Aliti, edhe presidentit Ismet Krasniqi për të qenë mjek i ekspeditës olimpie të Komitetit Olimpik në këtoLojëra Mesdhetare...Faktikisht unë jam ortoped traumatolog, por këtu jam mjek sportiv dhe natyrisht jam marrë edhe me domethënë nga gjërat më banale si një ftohje e atletit deri te lëndimet që i kanë marrë sportistët tanë brenda dhe jashtë fushave të sportit. Kemi pasur lëndime, asnjë lëndim me rrezik për jetë, diçka që kalohen për periudha të shkurtëra apo afatgjata. Sido që të jetë, të gjithë sportistët besoj do të kthehen në fushë pas një periudhe të caktuar”, bëri të ditur Karaqi.

Përvojën si sportist të nivelit të lartë dhe profesionin e mjekut, Karaqi po i bashkon në një angazhim të vetëm në këto Lojëra Mesdhetare, duke e bërë pjesë të rëndësishme të ekipit që po kujdeset për ekspeditën e Kosovës në Taranto.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat