Kampionia olimpike e maratonës dënohet me tri vjet për doping

Sporti

Kampionia olimpike e maratonës dënohet me tri vjet për doping

Më: 19 nëntor 2026 Në ora: 15:51
Peres Jepchirchir

Atletika botërore është tronditur nga një tjetër rast dopingu, pasi kampionia olimpike e maratonës, keniania Peres Jepchirchir, është dënuar me tri vjet pezullim pas rezultatit pozitiv në testin për substancën e ndaluar EPO.

EPO (Eritropoetina) është një hormon që prodhohet natyrshëm nga veshkat dhe ka një rol shumë të rëndësishëm në organizëm: stimulon palcën e eshtrave të prodhojë më shumë rruaza të kuqe të gjakut (eritrocite).

Lajmi është bërë i ditur të enjten nga Njësia e Integritetit në Atletikë (AIU), e cila ka konfirmuar se 33-vjeçarja ka pranuar shkeljen e rregullave kundër dopingut dhe ka marrë përsipër sanksionin.

Jepchirchir, e cila fitoi medaljen e artë në maratonë në Lojërat Olimpike të Tokios 2021 dhe titullin e kampiones së botës vitin e kaluar, rezultoi pozitive në një mostër të marrë jashtë garave më 17 korrik në Kapsabet të Kenias.

Testimi ishte kryer para fitores së saj në Maratonën e Sidneit, në fund të gushtit, ku ajo kishte triumfuar në garën e femrave.

Fillimisht, atletja kishte mohuar çdo shkelje, duke deklaruar para zyrtarëve të AIU-së më 20 tetor se nuk kishte marrë injeksione dhe as nuk kishte përdorur vetë EPO-në.

Megjithatë, shtatë ditë më vonë ajo nënshkroi dokumentin përmes të cilit pranoi shkeljen e dy rregullave kundër dopingut dhe sanksionin prej tri vjetësh, sipas vendimit të AIU-së.

Si pasojë e këtij rasti, fitorja e saj në Maratonën e Sidneit 2026 pritet t’i kalojë bashkëkombëases Irine Cheptai, pasi testi i Jepchirchir gjatë garës kishte rezultuar negativ.

Në deklaratën e publikuar nga AIU, drejtori ekzekutiv Brett Clothier ka paralajmëruar se Kenia ende ka shumë punë për të bërë në luftën kundër dopingut.

“Autoritetet keniane kanë bërë përparim të madh në luftën kundër dopingut gjatë pesë viteve të fundit, por këto raste tregojnë se ende ka një rrugë të gjatë përpara”, ka deklaruar Clothier.

Përveç Jepchirchir, AIU ka njoftuar edhe dy sanksione të tjera ndaj atletëve kenianë.

Veronica Loleo, nënkampione në gjysmëmaratonë në Kampionatin Botëror të Vrapimit në Rrugë 2026, është dënuar gjithashtu me tri vjet pezullim për shkak të një testi pozitiv për EPO.

Ndërsa Ronald Korir, i cili përfundoi i katërti në Maratonën e Berlinit në vitin 2023, është dënuar me gjashtë vjet pezullim.

Në rastin e tij, AIU ka konstatuar parregullsi në pasaportën biologjike të atletit, të cilat ai nuk ka arritur t'i shpjegojë.

Këto raste shtojnë shqetësimet për dopingun në atletikën keniane, në një kohë kur vendi është përzgjedhur për të organizuar Kampionatin Botëror të Atletikës në vitin 2029, për herë të parë në kontinentin afrikan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat