Vogue zbulon detaje nga dasma luksoze e Benjamin Pavard-it dhe Kleofina Pnishit

Bota e Yjeve

Vogue zbulon detaje nga dasma luksoze e Benjamin Pavard-it dhe Kleofina Pnishit

Nga: Bota sot Më: 26 korrik 2025 Në ora: 20:12
Kleofina Pnishi

Revista Vogue ka zbuluar detaje ekskluzive nga një prej dasmave më të përfolura të verës 2025: bashkimi në martesë i futbollistit francez Benjamin Pavard dhe aktores shqiptare Kleofina Pnishi. 

Nga data 17 deri më 19 korrik 2025, futbollisti i njohur i Kombëtares Franceze dhe Inter Milanit, Benjamin Pavard, dhe aktorja e modelja nga Kosova, Kleofina Pnishi, kurorëzuan dashurinë e tyre në një ceremoni madhështore në Bregdetin magjepsës të Amalfit, Itali. Dasma treditore përfshiu momentet më të bukura të dashurisë së tyre, duke sjellë bashkë familjarë e miq të ngushtë për të festuar në një atmosferë të ngrohtë dhe elegante.

Çifti, që janë bashkë që nga viti 2022, zgjodhën të organizonin një dasmë që reflektonte thellësisht personalitetin dhe historinë e tyre – një ngjarje plot stil, ndjenjë dhe simbolizëm. Ceremonia civile u zhvillua në një abaci të rrënuar në Ravello, ndjekur nga martesa fetare, një darkë e madhe festive dhe një brunch i veçantë në Giardini del Fuenti, vendosur mbi shkëmbinjtë që zbresin drejt Detit Tirren.

Image
Kleofina Pnishi.

Pasionante ndaj modës, Kleofina e shfrytëzoi këtë moment të veçantë për të shprehur frymëzimet e saj artistike, trashëgiminë kulturore nga Kosova si dhe dashurinë për dizajnerët e saj të preferuar. Për ceremoninë civile, ajo veshi një fustan minimalist nga Danielle Frankel; më pas shkëlqeu me një krijim vintage nga Versace dhe një fustan madhështor nusesh nga Nicole and Felicia. Në një tjetër moment të veçantë, Kleofina dhe Benjamin u shfaqën me pamje të kombinuara nga shtëpia e modës Jacquemus. Dasma u mbyll me një fustan unik i punuar me dorë nga dizajnerja nga Kosova Diana Qerimi, tërësisht në teknikën e qëndisjes me grep.

"Duhet të ndihesh në fustanin e nusërisë ashtu siç të bën të ndihesh i fejuari yt", ishte filozofia e dizajneres së Kleofinës, e cila realizoi me përkushtim një pjesë të veçantë të kësaj ngjarjeje.

Image
Pllaka e frymëzimit për krijimin e fustanit të nusërisë së Kleofina Pnishit nga Diana Qerimi për dasmën e saj me Benjamin Pavard. 

Kleofina u kujdes që kultura e saj personale të pasqyrohej në çdo detaj të dasmës – nga fustanet me shkëlqim të krijuara nga Fjolla Haxhismajli, dizajnere nga qyteti i saj i lindjes, Gjakova, deri te fustani për brunch, i përgatitur në bashkëpunim me Diana Qerimin. Kjo veshje e fundit kishte një domethënie të thellë emocionale: ajo ishte përbërë nga copa pecetash të ruajtura nga gjyshja e Kleofinës dhe ajo e Benjamin-it – një simbol i dashurisë, trashëgimisë dhe unitetit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat