Drogë, femra dhe mafia, jeta e trazuar e gjeniut të futbollit, që vdiq ditë më parë

Futboll

Drogë, femra dhe mafia, jeta e trazuar e gjeniut të futbollit, që vdiq ditë më parë

Më: 29 nëntor 2020 Në ora: 18:06
Drogë, femra dhe mafia, jeta e trazuar e gjeniut të futbollit, që vdiq ditë më parë

Diego Maradona ndërroi jetë të mërkurën në moshën 60-vjeçare duke tronditur mbarë botën. Ai vdiq nga një atak kardiak në banesën e tij në Buenos Aires.

Maradona ishte një gjeni në fushën e futbollit, por jeta e tij jashtë saj i shkaktoi shumë probleme me shëndetin.

Maradona ishte fëmija i pestë nga tetë fëmijë. Ai lindi në Lanus, një provincë argjentinase e Buenos Aires, më 30 tetor të vitit 1960, në një familje katolike. Ai ishte shumë i lidhur me familjen e tij, madje në një intervistë në vitin 1990 tregoi nj faturë se si kishte shpenzuar 10 mijë dollarë vetëm me telefonata me familjen. Edhe pse ishin të varfër, ata ishin të lidhur shumë me njëri-tjetrin.

Që në moshën 3-vjeçare, Maradona ra në dashuri me lojën e bukur. Në moshën 10-vjeçare u bashkua me Los Cebollitas, ekipin e të rinjve të Argentinos Juniors, një prej klubeve më të mëdha në Argjentinë. Me këtë ekip fitoi 136 ndeshje rresht. Ai mori pseudonimin ‘El Pibe de Oro’ (Djaloshi i artë).

Debutimin profesional e bëri pak përpara se të mbushte 16 vjeç. Më pas do luante me ekipe të tilla si Boça Juniors, Barcelona dhe Napoli dhe do udhëhiqte Argjentinën drejt titullit botëror.

Por pavarësisht suksesit në karrierë dhe faktit se në vitin 1984 u martua me dashurinë e fëmijërisë, Claudia Villafane, që në mesin e viteve ’80 ai nisi të kishte varësi ndaj kokainës. Thuhet se drogën e nisi në Barcelonë në vitin 1983.

Kur luante me Napolin ai kishte varësi kaq të madhe nga droga, sa kjo nisi të ndikonte te aftësia për të luajtur.

Koha në Napoli ishte e vështirë për shkak të famës së jashtëzakonshme. Sipas Daily Mail, në atë kohë ai nisi të merrte shërbimet e Kamorras, mafies së famshme, që i ofroi atij mbrojtje në qytetin e cilësuar si një prej më të rrezikshmëve në botë.

Kjo bëri që ai të zhytej akoma më shumë në festa dhe drogë, duke ndërruar shoqëritë e femrave njëra pas tjetrës. Aferat seksuale ishin të shumta.

Pasi një telefonatë u përgjua në janar të vitit 1991, ndaj tij u ngritën akuza për posedim dhe shpërndarje të kokainës. Një test gjaku në prill të atij viti zbuloi gjurmë drogë, duke bërë që të dënohej me qëndrim larg fushave për 15 muaj.

Nga Italia ai u arratis në Argjentinë, por u arrestua atje për posedim kokaine.

Në vitin 1994, tetë vite pasi kishte fituar Botërorin, problemet e tij me drogën u shfaqën qartë ku festoi në mënyrë të çmendur një gol ndaj Greqisë në Botërorin e SHBA. Jo shumë pas golit, ai u dërgua në shtëpi pasi testoi pozitiv për pesë variante të efedrinës, një drogë e ndaluar nga FIFA.

Në vitin 1998, një vit pasi kishte dalë në pension- ai u dënua me 2 vite e 10 muaj burg pasi qëlloi me një pushkë ajri drejt gazetarëve. Incidenti ndodhi në vitin 1994 kur Maradona u tërbua me gazetarët që ishin shfaqur te shtëpia e tij, duke plagosur katër persona. Pamjet tregojnë atë duke qëlluar pas një makine.

Maradona kishte edhe një tendencë për të shtuar në peshë. Në një pikë ai peshonte 135 kg.

Përgjatë pjesës së mbetur të jetës vuajti nga probleme të shumta shëndetësore. Në vitin 2005 iu nënshtrua një bajpasi gastrik. Në vitin 2007 u kurua për hepatit dhe abuzim me alkoolin. Në vitin 2019 u operua për hernie.

Më 2 nëntor të këtij viti u shtrua në spital për një operacion në tru. Operacioni doli me sukses, por ai ndërroi jetë disa ditë më vonë, kur e ‘tradhtoi’ zemra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat