Fitorja e Kukësit “ilaç” edhe për Gegën

Futboll

Fitorja e Kukësit “ilaç” edhe për Gegën

Më: 5 dhjetor 2020 Në ora: 19:14
Fitorja e Kukësit “ilaç” edhe për Gegën

Kukësi e mirëpret me fitore shërimin e Skënder Gegës nga COVID-19, i cili u ul në stol ndaj Apolonisë vetëm dy ditë pas kthimit nga Turqia. Skuadra verilindore fitoi minimalisht përballë fierakëve me gol të Eze, çka shënon suksesin e tretë radhazi në kampionat dhe katapultimin në vendin e katërt, vetëm tri pikë larg Vllaznisë kryesuese.

Në sfidën e zhvilluar në “Elbasan Arena” Apolonia rrezikoi e para me Mehmetin me një gjuajtje të bukur nga jashtë zonën që u ndal nga portieri Tafa. Pas shumë minutave lojë, Kukësi iu afrua golit me Gashin, goditja e të cilit brenda zonës përfundoi disa metra mbi tra.

Pjesa e dytë nisi me ritëm më të lartë. Në minutën e 47-të Leira u bë gati të festonte, por Harizaj i mohoi golin, ndërsa vetëm pak sekonda më vonë Mihana, në zonën e portierit nuk mundi ta devijonte topin drejt rrjetës.

Rast i pabesueshëm i humbur nga Eze në minutën e 53-të. Nigeriani bën më të vështirën, teksa pas një pasimi perfekt të Demirit, i vetëm e dërgon topin mbi kuadrat. Në të 76-ën portieri i Apolonisë i mohoi golin Vesel Limajt, pas një gjuajtje të bukur të këtij të fundit me të majtë, për të ardhur më pas te goli i Eze, që këtë herë, i shërbyer nga Cooper, e pati të thjeshtë ta dërgonte topin në rrjetë.  Ky gol i mjaftoi Kukësit për të siguruar fitoren e radhës përballë një ekipi modest, por që tenton të luajë futboll të bukur.

Nuk po arrin të zhbllokohet Teuta, që u ndal në barazim 1-1 në “Niko Dovana” ndaj Kastriotit, që edhe pse shënoi i pari nuk mundi të qëndronte më shumë se një minutë në epërsi.

Pavarësisht dominimit territorial të Teutës në pjesën e parë rastin më të mirë e pati Rezi i Kastriotit, goditja e të cilit brenda zonës përfundoi jashtë. Në fundin e pjesës së parë u shfaq në lartësinë e detyrës portieri i krutanëve, Isli Hidi, që reagoi bukur ndaj goditjes së Krasniqit, ndërsa në pjesën e dytë i mohoi golin Lorenco Vilës.

Momente paniku në “Niko Dovana” në minutën e 77-të. Futbollisti i Kastriotit, Neziri, humbi ndjenjat për disa momente, pas përplasjes me Lorenco Vilën. Për fat të mirë gjithçka kaloi dhe futbollisti u rikthye sërish në fushë.

Shtanget Teuta në minutën e 85-të. Okebugwu godet befasisht thuajse në vijën e 16 metrave, me topin që shkoi aty ku nuk mund ta arrinte portieri i durrsakëve. Gjithsesi, vetëm një minutë më vonë Lorenco Vila përfitoi nga një gabim i mbrojtjes, duke mos i dhënë asnjë shans Isli Hidit. Minutat e mbetura nuk u shfrytëzuan nga Teuta për të gjetur golin e dytë, me Kastriotin që mori një pikë në këtë transfertë, në në fakt, nuk do të kishte vjedhur asgjë nëse do të kishte fituar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat