Maqedonia e Veriut U17 ka arritur të kualifikohet në raundin elitar të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, pas paraqitjeve pozitive në turneun e zhvilluar në Turqi.
Skuadra e drejtuar nga përzgjedhësi Iljami Isejni e përfundoi turneun në vendin e dytë në grup, në konkurrencë me Hungarinë, San Marinon dhe Turqinë, duke regjistruar dy fitore dhe duke përmbushur objektivin e përcaktuar.
Pas kthimit nga Turqia, përzgjedhësi Isejni ka dhënë një intervistë për mediumin maqedonas “SportSport”, ku ka analizuar paraqitjet e skuadrës, potencialin e kësaj gjenerate dhe punën që e pret ekipin në të ardhmen.
Përmbysja ndaj Hungarisë, moment vendimtar
Isejni e ka vlerësuar turneun si të suksesshëm, duke theksuar se përballjet me kundërshtarë cilësorë ishin një përvojë e rëndësishme për zhvillimin e futbollistëve të rinj.
Ai veçanërisht ka veçuar fitoren ndaj Hungarisë, e cila, sipas tij, pati ndikim të madh në vetëbesimin e skuadrës.
“Fitorja ndaj Hungarisë ishte shumë e rëndësishme, para së gjithash nga aspekti i rezultatit, por edhe për vetëbesimin. U gjendëm në një situatë të vështirë, pasi ishim në disavantazh 0:2, por treguam karakter, kapacitet dhe disiplinë. Nuk u dorëzuam, përkundrazi. Ajo fitore dhe ajo përmbysje na e lehtësuan shumë rrugën më pas”, deklaroi Isejni.
Gjeneratë me cilësi dhe hapësirë për përparim
Përzgjedhësi i Maqedonisë U17 beson se kjo gjeneratë ka potencial të madh, por thekson se futbollistët duhet të punojnë më shumë për t'i përmirësuar mangësitë e tyre.
“Kjo gjeneratë ka shumë potencial, por, si çdo gjeneratë e përbërë nga futbollistë të rinj, ka edhe mangësi që duhet të tejkalohen. Në periudhën që na pret duhet të punojmë shumë për t'i përmirësuar ato. Jemi të vetëdijshëm se ende kemi dallime në raport me përfaqësuese si Turqia, Spanja apo Gjermania. Duhet të punojmë shumë që ky dallim të bëhet gjithnjë e më i vogël”, u shpreh ai.
Përgatitja psikologjike duhet të nisë në klube
Isejni ka theksuar gjithashtu rëndësinë e përgatitjes psikologjike të futbollistëve të rinj, duke vlerësuar se një pjesë e madhe e kësaj pune duhet të bëhet në klubet ku ata aktivizohen.
Sipas tij, lojtarëve të rinj nuk duhet t'u imponohet presioni për rezultate dhe fitore, por duhet t'u kultivohen disiplina, përgjegjësia dhe mentaliteti fitues.
Synimi është krijimi i futbollistëve për kombëtaren A
Isejni nuk dëshiron ta krahasojë këtë gjeneratë me gjeneratat e mëparshme, duke theksuar se secila ka karakteristikat, përparësitë dhe mangësitë e veta.
Ai nënvizon se suksesi në një ndeshje apo turne nuk duhet të jetë objektivi përfundimtar i përfaqësueseve të reja.
“Objektivi ynë kryesor duhet të jetë krijimi i futbollistëve cilësorë, të cilët do të jenë bartës të përfaqësueses për shumë vite. Synimi është që këta lojtarë të bëhen pjesë e rëndësishme dhe futbollistë standardë të përfaqësueses A. Ky është qëllimi kryesor i përfaqësueseve të grupmoshave të reja”, theksoi përzgjedhësi.
Në fund, Isejni ka bërë thirrje që ky sukses të shërbejë si motiv shtesë për futbollistët e rinj, ndërsa ka falënderuar Federatën e Futbollit të Maqedonisë, presidentin Masar Omeragiq dhe bashkëpunëtorët e tij për mbështetjen gjatë turneut.
“Do të mundohemi t'ua kthejmë këtë mbështetje me paraqitje dhe rezultate edhe më të mira”, përfundoi Isejni.