Messi ende nuk e ka sqaruar të ardhmen e tij.
Ylli argjentinas nuk e ka rinovuar kontratën me Barcelonën, e cila skadon në qershor 2021. Kësisoji, nga janari do të jetë i lirë të nënshkruajë me një klub tjetër. Në Angli flitet për një ofertë faraonike për të bindur Leon që “të martohet” me Manchester City. Në Francë përflitet gjithashtu kampioni argjentinas, konkretisht te PSG, ku do të takonte mikun e tij, Neymar.
Disa orë më parë, në “El Chiringuto”, gazetari Quim Domenech siguroi se Jorge Messi, përfaqësuesi i Lionel dhe babai i tij njëherësh, zhvilluan një takim në konsullatën e Katarit në Barcelonë për të folur mbi të ardhmen e “Pleshtit”. Mohimi i këtij lajmi ishte i shpejtë nga faqja e tij në Instagram, bërë nga babai-menaxher i Messit
Menjëherë pas komentit të Quim Domenech, Jorge Messi, postoi një pamje në ekran të llogarisë në Twitter të emisionit “El Chiringuto” me atë njoftim dhe shkroi më poshtë: “Gënjeshtër.
Edhe një shpikje tjetër. Unë nuk kam lëvizur nga Argjentina që prej shtatorit. #Fakenews”.
Samiti i pretenduar në konsullatën e Katarit, sipas gazetarit, mund të ketë qenë për kalimin e mundshëm të Messit te PSG, pronësia e të cilit i përket vendit të Lindjes së Mesme.