Tani duhet bindur De Laurentiis

Futboll

Tani duhet bindur De Laurentiis

Më: 30 dhjetor 2020 Në ora: 11:53
Milik

Tani që Diego Costa është liruar zyrtarisht, Atletico Madrid po nxiton të gjejë zëvendësuesin e tij. Emri në krye të listës së dëshirave është ai i Arkadiusz Milik.

Sipas asaj që raportohet nga gazeta spanjolle “AS”, polaku i Napolit tashmë ka dhënë miratimin e tij. Sulmuesi, jashtë skuadrës blu, po kërkon hapësirë ​​për të luajtur kartat e tij në funksion të Kampionatit Europian.

Me “azzurri”, diçka duket se është prishur tani, pas një eksperience që filloi më 2016 dhe gjatë së cilës mblodhi 48 gola në 122 paraqitje. “Rojiblancos”, tani, do të kenë detyrën më të vështirë: të bindnin presidentin e Napolit, De Laurentiis, për t’i ulur kërkesat ekonomike.

Kërkesa e klubit napolitan është 15 milionë euro, pavarësisht se kontrata e polakut skadon në qershor.

Për presidentin De Laurentiis kjo është një çështje parimore, siç demonstroi vetë gjatë negociatave me Romën këtë verë, kur lojtari dukej i afërt me kryeqytetasit, madje kishte kaluar edhe ekzaminimet mjekësore në Zvicër. Interesi i të dyja palëve, megjithatë, është të “ndahen” pa pasoja të mëtejshme.

Pavarësisht kësaj, distanca midis kërkesës së Napolit dhe shumës së ofruar nga Atletico Madrid për operacionin mbetet e konsiderueshme.

Shpresa e “Colchoneros” është që De Laurentiis të kënaqet me 8-10 milionë euro dhe ta lërë sulmuesin të largohet në janar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat