Trajneri i “Patriotëve” nuk pranon të marrë Medaljen Presidenciale të Lirisë

Futboll

Trajneri i “Patriotëve” nuk pranon të marrë Medaljen Presidenciale të Lirisë

Më: 12 janar 2021 Në ora: 21:38
Bill Belichick

Trajneri i skuadrës së futbollit profesionist amerikan “Patriotët” të New England-it, Bill Belichick, njoftoi të hënën në mbrëmje se nuk do ta pranojë Medaljen e Lirisë që jepet nga presidenti. Ai tha se "të qenit besnik ndaj njerëzve, ekipit dhe vendit që dua, vlejnë më shumë se përfitimet e çdo çmimi individual". (New England është një rajon në verilindje të Shteteve të Bashkuara që përfshin shtetet e Meinit, Vermontit, Nju Hempshërit, Masaçusetsit, Konektikatit dhe Rode Ajlënd”.

Nëpërmjet një deklarate të shkurtër, trajneri që ka drejtuar skuadrën në gjashtë fitore të Super Bowl-it amerikan, nuk e tha në mënyrë të qartë se ai e kishte refuzuar ofertën e Presidentit Donald Trump, të cilin më parë e ka cilësuar si mik të tij. Por zoti Belichick shpjegoi se "është marrë vendim për të mospranimin e çmimit" pas ngjarjeve të dhunshme që përfshinë Kapitolin javën e kaluar.

Zoti Trump njoftoi të shtunën, tre ditë pas protestave të dhunshme të 6 Janarit, se ai do t'i jepte zotin Belichick titullin më të lartë civil të kombit, pjesë e disa titujve nderi të shpërndara së fundmi prej tij që përfshinin lojtarët e golfit Annika Sorenstam, Gary Player si dhe lojtaren e ndjerë Babe Zaharias.

Zonja Sorenstam dhe zoti Player i pranuan dekoratat e tyre gjatë një ceremonie private, një ditë pasi mbështetësit e zotit Trump sulmuan Kongresin. Pesë persona humbën jetën gjatë protestave të dhunshme, përfshirë dhe oficerin e policisë së Kapitolit Brian Sicknick.

Zoti Belichick ishte parashikuar të nderohej me titullin e lartë të enjten.

"U ndjeva i nderuar… nga respekti për atë që përfaqëson ky titull dhe nga admirimi për ata qe e kanë marrë atë më parë", tha trajneri në një deklaratë, e cila iu dha agjencisë Associated Press nga vetë ekipi i Patriotëve.

"Por më pas ndodhën ngjarjet tragjike të javës së kaluar dhe u morr vendim për të mos bërë përpara me çmimin. Mbi të gjitha unë jam një qytetar amerikan me shumë respekt për vlerat, lirinë dhe demokracinë e kombit tonë. Unë e di se gjithashtu përfaqësoj familjen dhe ekipin tim të New England-it, Patriotët".

Megjithëse e përshkruan veten si njeri të shkëputur nga politika, zoti Belichick rezulton të jetë përfshirë në disa raste.

Ai ashtuquajturi arkitekti i dinastisë së Patriotëve i ka shkruar zotit Trump një letër mbështetjeje më 2016, që aso kohe kandidati për president e lexoi me zë të lartë një natë para zgjedhjeve, në një tubim në Nju Hempshër, bastioni i tifozërisë së ekipit.

Zoti Trump tha se letra ofronte "urimet më të mira për rezultate të shkëlqyera" në ditën e zgjedhjeve dhe e inkurajonte atë "për ta bërë Amerikën sërish të madhërishme", por zoti Belichick tha se ajo ishte thjesht një letër për të mbështetur një mik.

Në 2015 zoti Belichick kishte vendosur një stemë me flamurin armen gjatë një aktiviteti në Shtëpinë e Bardhë me rastin e fitores së katërt të Super Bowl-it nga skuadra e tij. Ky gjest besohet të ishte një shenjë mbështetjeje për drejtorin e futbollit të ekipit, Berj Najarian, me origjinë armene. Muajin e kaluar, zoti Belichick i bëri thirrje qeverisë amerikane të ndërmarrë veprime kundër Turqisë dhe Azerbajxhanit për "sulme të paprovokuara e të dhunshme kundër armenëve".

Pas vdekjes së George Floyd-it në duart e policisë këtë verë, lojtarët e ekipit të Patriotëve e vlerësuan zotin Belichick për garantimin e një forumi të hapur për ta për të shprehur ndjenjat e tyre mbi racën dhe padrejtësitë shoqërore në Amerikë. Në deklaratën e tij ditën e hënë, zoti Belichick e quajti atë "një nga gjërat më të dobishme në karrierën e tij profesionale".

"Përmes një drejtimi së shkëlqyer brenda ekipit tonë, bisedat në lidhje me drejtësinë shoqërore, barazinë dhe të drejtat e njeriut u zhvendosën në krye dhe u shndërruan në veprime konkrete", tha ai. "Vazhdimi i atyre përpjekjeve, duke u qëndruar besnik njerëzve, skuadrës dhe vendit që unë dua, peshojnë më shumë sesa çdo përfitim nga çdo çmim që marr personalisht"./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat