Ja pse zgjodhi Skënderbeun

Futboll

Ja pse zgjodhi Skënderbeun

Më: 14 janar 2021 Në ora: 17:21
Ja pse zgjodhi Skënderbeun

Skënderbeu ka afruar katër futbollistë deri tani në këtë merkato janari, ndërsa njëri prej tyre është edhe Vangjel Zguro.

Mbrojtësi i majtë ka dalë sot në stërvitje me bardhekuqtë për herë të parë nga Korça dhe ka treguar arsyet përse ka zgjedhur të bashkohet me Skënderbeun.

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi pogradecar është shprehur i gatshëm për të dhënë kontributin e tij që në ndeshjen e së shtunës kundër Partizanit.

Zguro, jeni pjesë e Skënderbeut tashmë. Klubi ju prezantoi si afrim të ri…

Po, zyrtarisht mund të them se me hapjen e merkatos, do të jem futbollist i Skënderbeut. Kam arritur akordin me presidentin Ardian Takaj dhe për pesë muajt e ardhshëm do të jem lojtari i Skënderbeut.

Çfarë ju bindi të vinit në Korçë?

Më shtyu emri i madh i Skënderbeut dhe pa dyshim klubi që funksionon si i tillë. Plus kësaj kthehem në vendlindje pasi kam afër Pogradecin dhe Korça është një ambient i qetë dhe mjaft mikpritës. Jam këtu edhe për të arritur objektivat e klubit dhe për të nxjerrë Skënderbeun nga ky pozicion në të cilin ndodhet momentalisht.

Do të jeni gati që në ndeshjen e kësaj jave?

Shpresoj që po. Unë po përpiqem të bëj maksimumin dhe të jap më të mirën time në stërvitje. Jam bashkuar me ekipin dhe po mundohem të kuptoj filozofinë e lojës së skuadrës. Trajneri e di më mirë një gjë të tillë dhe ai vendos në fund të fundit. Unë personalisht ndihem gati për të luajtur të shtunën.

Sa e njihni ekipin?

Të them të drejtën e kam parë shumë pak Skënderbeun kjo edhe për shkak të mundësive jo të shumta që kam pasur dhe ndryshimit të orareve në kontinentin Amerikan. Gjithsesi, ju thashë edhe më sipër do të përpiqem që ta njoh akoma edhe më mirë.

Është një ekip me lojtarë të rinj. A do të jetë e mjaftueshme eksperienca juaj?

Të tregohem i sinqertë kam qenë në stadium në ndeshjen me Kastriotin dhe e kam parë me kujdes atë takim. Kam parë një ekip me djem të rinj dhe me cilësi në vetvete por mbi të gjitha që nuk u mungonte dëshira. Shpresoj që me ardhjen time, ekipi të shkojë atje ku duhet.

Skënderbeu është në vendin e parafundit në klasifikim. A ka mundësi të bëjë më mirë?

Po besoj shumë që po. Skënderbeu i ka kualitetet dhe cilësitë brenda. Këtë e them nga ajo që mund të shoh duke u stërvitur çdo ditë me këta lojtarë. Për këtë jam i bindur që në këtë fazë të kampionatit por edhe në dy fazat e tjera do të bëjmë shumë mirë dhe do të ngrihemi në klasifikim. Ky është një pozicion që nuk i shkon përshtat këtij ekipi për atë që ka dhënë këto vitet e fundit.

Si ju duket ky kampionat këtë vit?

Për mendimin tim në këtë sezon diferencat janë shumë të vogla mes ekipeve. Mund të them se janë të gjitha në një nivel dhe nuk ka diferenca të dukshme mes ekipeve. Vllaznia për mendimin tim është pak më lart se të tjerat pasi ka një grup shumë të konsoliduar. Unë e pashë edhe në ndeshjen me Kastriotin ndodhi një gabim që mund të ndodhë cilitdo ekip dhe u ndëshkuam por nuk është se diferencat ishin të mëdha.

Ndaj Partizanit si e shihni këtë përballje?

Partizani është një ekip për t’u respektuar dhe drejtohet nga një prej trajnerëve më të mirë në Shqipëri. Por gjithsesi, ne jemi Skënderbeu dhe nuk do ta kenë aspak të lehtë përballë nesh. Shpresoj shumë që të jem në fushë dhe të luftoj së bashku me ekipin për të marrë tri pikët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat