Dede vendos për Seferin

Futboll

Dede vendos për Seferin

Më: 16 janar 2021 Në ora: 12:25
Dede vendos për Seferin

Tirana është përforcuar me Taulant Seferin në merkaton e janarit, mirëpo dje në testin e fundit para ndeshjes me Kastriotin, trajneri Dede nuk e ka përfshirë mes titullarëve. Në rast se nuk do të ketë qenë ndonjë manovër për të fshehur rreshtimin, atëherë me gjasë tekniku kërkon që t’i japë kohën e nevojshme sulmuesit i cili nuk ka pasur minuta në Zvicër për thuajse pesë muaj.

Në provat e djeshme, Dede ka rreshtuar Muçin dhe Torasën në vijën e parë, ndërkohë që pas krahëve të tyre një mesfushë me pesë: Halili dhe Ismajlgeci nga krahët dhe Batha para mbrojtjes bashkë me Kukën e Tolin.

Në mbrojtje, treshja Toshevski-Najdovski-Hoxhallari ka dhënë garanci përpara portierit Bekaj. Në rast të një manovre me Seferin, atëherë ky i fundit titullar pritet t’i zërë vendin Kukës në rreshtimin 3-4-2-1. Seferi në majë dhe Muçi e Torasa pas tij. Në mesfushë, Batha luan krah Tolit.

Trajneri Ndreu ka shpjeguar mungesat që do të ketë Kastrioti për këtë përballje. “Husein dhe Bardhi nuk do të jenë. Gjithashtu as Ajazi. Bardhi dhe Husein janë lojtarë që kanë qenë në formacionin bazë.

Këta dy lojtarë, nëse mungojnë, në njëfarë mase ta ulin nivelin e skuadrës në aspektin teknik dhe taktik, sepse bëjnë mirë dhe kanë nivel për të prodhuar në çdo sekondë lojë të mirë”, tha Ndreu për mungesat e skuadrës krutane në këtë 90-minutësh ndaj Tiranës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat