Vëmendja e botës në Itali

Futboll

Vëmendja e botës në Itali

Më: 17 janar 2021 Në ora: 12:34
Vëmendja e botës në Itali

Vëmendja e botës së futbollit mbrëmjen e kësaj të diele do të jetë pikërisht në “San Siro” për derbin e Italisë mes Interit e Juventusit, dy skuadrat me rivalitetin më të fortë mes njëra-tjetrës ndër vite, jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në dyert e gjykatave.

Pas një dominimi thuajse 10-vjeçar të bardhezinjve, që kanë fituar 9 tituj kampionë radhazi, zikaltrit po provojnë ringritjen pikërisht me ish trajnerin dhe kapitenin e Juventusit, Antonio Conten, i cili është për sezonin e dytë në pankinën e Interit dhe kërkon ta mbyllë me trofe.

Sezonin e kaluar zikaltrit e mbyllën kampionatin vetëm një pikë pas Juventusit, ndërsa deri në këtë pikë të sezonit aktual pozicionohen në vendin e dytë, me 4 pikë më shumë se bardhezinjtë e vendit të katërt.

Derbi i Italisë bëhet edhe më i veçantë për faktin se Antonio Conte dhe Andrea Pirlo, dy emrat që hodhën bazat e një Juventusi dominues, njëri si trajner e tjetri si futbollist, sonte do të përballen si kundërshtarë në pankinat e skuadrave përkatëse.

Trajneri zikaltër nuk pritet t’i ndryshojë asgjë formacionit të tij të zakonshëm, teksa në mesin e fushës Vidal do të plotësojë treshen me Brozoviç e Barella, ndërsa në krahun e majtë ka një balotazh mes anglezit Young dhe kroatit Perisic.

Nga ana tjetër Andrea Pirlo nuk ka në dispozicion Alex Sandron, Juan Cuadradon dhe Matthijs De Ligt, të cilët janë të prekur nga koronavirusi, ndërsa Paulo Dybala është i dëmtuar dhe ka qëndruar në Torino.

Megjithatë bardhezinjtë ia kanë dalë të rikuperojnë mesfushorin amerikan McKennie dhe sulmuesin italian Federico Chiesa, të cilët pritet të luajnë nga minuta e parë mbrëmjen e sotme ndaj zikaltërve.

Derbi i Italisë do të startojë në orën 20:45 dhe do të transmetohet live në ekranin e Supersport 2, por e diela në Serinë A do të nisë shumë herët, pasi në orën 12:30 Napoli do të presë Fiorentinën në stadiumin “Diego Armando Maradona”.

Në orën 15:00 do të luhen sfidat Sassuolo-Parma dhe Crotone-Benevento, ndërsa në orën 18:00 Atalanta do të presë në Bergamo skuadrën e Genoas, e cila ka rilindur me rikthimin e Ballardinin në pankinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat