Supersfida

Futboll

Supersfida

Më: 24 janar 2021 Në ora: 12:40
Supersfida

Vetëm një javë pas duelit në kampionat Liverpool-i dhe Manchester United përballen sërish, këtë herë në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm në vend FA Cup.

Kupa e Federatës në Angli përfaqëson njëkohësisht edhe kompeticionin më të vjetër në rruzull në rang klubesh dhe edicioni i sivjetshëm është i 140, që kur ky aktivitet është zhvilluar për herë të parë, në sezonin e largët 1871-72. Bëhet fjalë pra për një edicion jubilar ku përsëri favorit mbetet ekipi i Guardiolës për shkak të shortit shumë të lehtë.

Të dielën e kaluar dy klubet më të suksesshëm në historinë e kampionatit anglez nuk shkuan përtej një barazimi pa gola, por sidoqoftë në Premier League një rezultat i tillë natyrisht që i interesonte vërtet shumë “djajve të kuq”, që me atë barazim 0-0 ia dolën për të ruajtur vendin, në kreun e tabelës së renditjes. Ashtu siç filloi takimi në “Anfield” u duk sikur “të kuqtë” do të përsërisnin suksesin e një viti më parë, kur realizuan nga një gol për çdo pjesë në ekstremet e ndeshjes Van Dijk dhe Salah, sidoqoftë kampionët në fuqi vazhdojnë të vuajnë në fazën e sulmit, ndërsa në krahun tjetër trajneri Solskjaer guxoi vetëm në fund, kur në fakt United shpërdoroi edhe dy mundësi shumë të mira me mesfushorët Bruno Fernandes e Paul Pogba.

Dy skuadrat ruajtën po të njëjtin trend dhe “red devils” vijuan në rrugën e fitoreve, duke përmbysur sërish disavantazhin e një goli të shpejtë, për të mundur një ekip të rrezikshëm si Fulham brenda në “Craven Cottage”, falë një goli të shkëlqyer të francezit Paul Pogba. Si për ironi të fatit humbja e fundit jashtë fushe për United është pikërisht disfata 2-0 e kampionatit të kaluar, sepse që nga 19 janari i vitit 2020 “djajtë e kuq” krenohen me plot 13 fitore e vetëm 4 barazime, larg “Teatrit të Ëndrrave”. Këtë herë megjithatë “derbi i Anglisë” do të zhvillohet brenda në “Old Trafford” dhe “red devils” do të bëjnë çmos për të mos pësuar një tjetër eliminim të shpejtë.

Vendasit dështuan si në Champions ashtu edhe në Kupën e Ligës, kështu që alternativat për trofe tani janë vetëm kampionati, Kupa e Mbretëreshës dhe Europa League. United ka fituar pikërisht qetësinë që mungon në radhët e ekipit të drejtuar nga trajneri Jurgen Klopp. “Djajtë e kuq” kryesojnë përkohësisht kampionatin anglez me 6 pikë më shumë se Liverpuli, që pozicionohet për momentin në vendin e katërt. Sezonin e titullit në fazën e parë “të kuqtë” u ndalën vetëm në “Old Trafford”, ku Adam Lalana barazoi në fund të ndeshjes, duke regjistruar plot 18 fitore dhe vetëm 1 barazim, për të kryesuar me 13 pikë më shumë se ndjekësit më të afërt.

Pra 55 pikë në total, 21 më shumë krahasuar me edicionin aktual, sidoqoftë është e qartë që pavarësisht mungesave të rëndësishme në mbrojtje Liverpuli ka probleme. Të enjten në mbrëmje Burnley regjistroi fitoren e parë brenda në “Anfiled” që nga viti i largët 1974 dhe Liverpuli preku shifrën e 440’ pa shënuar në Premier League, duke përkeqësuar akoma më shumë pozitat në klasifikim. Për t’u kthyer në kohë të kuqtë kishin dy dekada që nuk regjistronin katër ndeshje radhazi në kampionatin anglez pa shënuar, pra që nga periudha kur klubi drejtohej nga francezi Gerard Houllier.

Duke përjashtuar United kalendari në këtë pjesë të vitit konsiderohej si tepër i favorshëm për “the reds”, megjithatë në 5 sfidat e fundit kampionët në fuqi kanë grumbulluar vetëm 3 pikë gjithsej, ndonëse përballë kishin kundërshtarë si West Bromëich Albion, Neëcastle, Aston Villa dhe Burnley. Ndaj ekipit të Sean Dyche Liverpuli kontrolloi topin në nivelin 72%, por skuadra e Klopit ndonëse gjuajti 27 herë drejt portës së Nick Pope përsëri ishte sterile dhe madje krosoi 30 herë topin në zonën e “clarets”. Sikur të mos mjaftonte kjo Liverpuli i dha fund edhe ecurisë së jashtëzakonshme prej plot 68 ndeshjesh pa humbje në Anfield. 3 vjet e 9 muaj pa u thyer në këtë fortesë, që nga prilli i vitit 2017, kur u mposht nga Crystal Palace i drejtuar nga Sam Allardyce.

Mbetet për t’u parë me çfarë lloj formacioni do të paraqitet strategu gjerman në “Old Trafford”, duke patur parasysh që të enjten e ardhshme “të kuqtë” do të masin forcat në Londër me Tottenham-in e Jose Mourinho-s, i cili i kuptoi i pari problemet e kampionëve në fuqi, madje si askush tjetër, që pesë javë më parë në duelin e këtyre dy ekipeve, ndeshje që u zgjidh nga një gol i Roberto Firmino-s pikërisht në sekondat e fundit të sfidës. Në krahun tjetër United nuk ka probleme të tilla, teksa numëron 12 pikë më shumë se sa në fundin e fazës së parë të edicionit të kaluar, madje takimin e radhës mesjavën e ardhshme “red devils” do ta kenë përsëri në shtëpi, për më tepër ndaj një ekipi si Sheffield United, që mbyll klasifikimin e përgjithshëm të Premier League-s.

Ky është një kompeticion tjetër, por sidoqoftë United përfaqëson klubin e dytë më të suksesshëm në historinë e Kupës së Anglisë, pas vetëm Arsenalit, që është edhe mbajtësi i trofeut. United ka fituar 12 nga 20 finalet e zhvilluara, ndërsa Liverpuli renditet në vendin e pestë në librin e artë të këtij aktiviteti me 7 trofe të fituar në 14 finale gjithsej. Kupa e Anglisë është fituar nga 4 klube të ndryshme në 5 sezonet e fundit, City, United, Arsenal dhe Chelsea, ndërsa klubi nga Merseyside nuk e fiton këtë trofe që nga viti 2006. Dy klubet janë përballur plot 13 herë në histori në FA Cup dhe United i ka eliminuar 9 herë të kuqtë, ndërsa Liverpuli i ka mposhtur “red devils” vetëm katër herë gjithsej, transmeton SS.

“The reds” nuk triumfojnë brenda në “Teatrin e Ëndrrave” prej shtatë ndeshjesh, në të gjithë kompeticionet, e fitorja e fundit është regjistruar shtatë vjet më parë, kur ekipi drejtohej nga irlandezo – veriori Brendan Rodgers, ndërsa golat u shënuan nga dyshja Steven Gerrad – Luis Suarez. Pra Jurgen Klopp nuk njeh fitore në Old Trafford, pikërisht stadiumin ku në orën 18:00 do të mbahet “derbi i veriperëndimit” United – Liverpool, impiant ku “the reds” kanë plot një shekull që nuk i mundin dot “djajtë e kuq” në FA Cup..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat