Java e suksesshme e Emir Sahitit

Futboll

Java e suksesshme e Emir Sahitit

Më: 1 shkurt 2021 Në ora: 10:56
Emir Sahiti

Emir Sahiti nuk ka pasur të ndalur këtë javë. Ka shënuar gola vendimtar për Shibenikun dhe ka asistuar për bashkëlojtarët te skuadra kroate.

Të shtunën, 22-vjeçari shkëlqeu ndaj skuadrës më të madhe kroate, Dinamo Zagreb. Ai realizoi gol të bukur për epërsinë fillestare të Shibenikut, ndërsa asistoi në golin e fitores, 2:1.

Për Sahitin goli i së shtunës ishte i pestë në 17 ndeshje kampionale këtë edicion. Ka edhe dy asistime.

Shibeniku renditet ne pozitën e shtatë në elitën e futbollit kroat, kurse Sahiti është i huazuar te kjo skuadër nga Hajduku i Splitit.

Ai ka besuar në një forme të mirë kur i është bashkuar Shibenikut, ndërsa pret të vazhdojë me këtë ritëm deri në fund të edicionit, kur edhe i përfundon huazimi.

“Të them të drejtën kam punuar shumë që të kthehem në formën më të mirë. Jam shumë i kënaqur me paraqitjet e mia. Jam i lumtur që puna që kam bërë këta muaj po shpërblehet në fushë me gola dhe asistime”, u shpreh Sahiti.

Për sulmuesin e krahut, goli dhe asistimi ndaj kampiones në fuqi, Dinamos së Zagrebit, do të jenë motivim për të vazhduar me paraqitje të mira edhe në takimet tjera.

“Jam shumë i lumtur që kam arritur t’i shënoj gol një skuadre të madhe siç është Dinamo. Nuk është aspak lehtë të luash ndaj saj, pasi dihet se ka një skuadër shumë të mirë. Ky do të jetë edhe një motivim shtesë për mua të vazhdoj me paraqitje të mira edhe në ndeshjet tjera”, theksoi Sahiti.

Fitorja e Shibenikut në stadiumin “Maksimir” ishte e veçantë. Ishte e para në kuadër të kampionatit të Kroacisë. 20 ndeshjet e kaluara i kishte fituar Dinamo.

“E kemi festuar këtë fitore, pasi vërtet është fitore e madhe dhe historike. Jam i lumtur që arrita të jem pjesë e kësaj historie duke kontribuuar me gol dhe asistim. Se sa e rëndësishme ishte kjo fitore shihet edhe te reagimi i tifozëve tanë të cilët festuan në rrugët e qytetit duke na e bërë një pritje madhështore ”, ka treguar Sahiti.

Sulmuesi prishtinas thotë se ka gjetur hapësira të mjaftueshme për të dëshmuar veten. “Klubi më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë kur kam ardhur, pasi nuk kam qenë në formën më të mirë. Sigurisht që me kalimin e ndeshjeve kam arritur ta ndihmoj ekipin duke kontribuuar me gola dhe asistime dhe për këtë jam shumë i lumtur. Do të jem këtu deri në fund të edicionit dhe shpresoj ta ndihmoj ekipin drejt objektivave të cilat i kemi”.

Sahiti në mesjavë kishte shënuar dy gola, njërin shumë të bukur, në fitoren 4:0 të Shibenikut ndaj Lokomotivës së Zagrebit. Ndaj Dinamos vetëm ka vazhduar formën. Pra kjo ishte javë e shpërthimit të Sahitit.

Sahiti më 18 tetor të vitit të kaluar kishte shënuar ndaj Hajdukut, ekipit që ka në pronësi kartonin e tij.

Madje festa e Sahitit pas golit të shënuar, që dukej të ketë qenë si reagim ndaj drejtuesve të Hajdukut, ishte komentuar shumë. Por, vetë lojtari thotë se nuk ka pasur asnjë qëllim të keq.

“Unë tashmë e kam shpjeguar, e festova atë gol ekskluzivisht, për shkak të disa njerëzve të cilët nuk kishin besim te unë. Nuk kam asnjë problem me klubin apo tifozët për të cilët kam shumë respekt”.

Sahiti ka kontratë me skuadrën nga Spliti deri në vitin 2022 dhe në fund të edicionit do të kthehet nga huazimi. Ai thotë se nuk ka vendosur ende për të ardhmen, por këtë do t’ia lërë në dorë menaxherit Adrian Aliaj.

“Kam edhe një vit kontratë me Hajdukun, mirëpo rreth së ardhmes time i besoj jashtëzakonisht shumë menaxherit Adrian Aliaj. Po besoj që nëse kthehem te Hajduku, tashmë e kam dëshmuar se e meritoj të luaj për Hajdukun. Momentalisht jam duke punuar dhe shpresoj që të vazhdoj me këtë formë dhe të bëj paraqitje edhe më të mira. Ka ende kohë dhe do të shohim se si do të rrjedhin gjërat”, thotë Sahiti. Ai ka luajtur edhe për skuadrën e dytë të Hajdukut të Splitit, përderisa karrierë ka bërë edhe në Maqedoninë e Veriut, te Rabotniçki.

Në Kosovë, Sahiti, karrierën e nisi te skuadra e Ramiz Sadikut, kurse ka luajtur edhe për Trepçën ’89.

Mediat kroate kanë shkruar se Sahiti e meriton rastin pas shpërthimit në javën e fundit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat