Juve në presion të Romës

Futboll

Juve në presion të Romës

Më: 6 shkurt 2021 Në ora: 11:42
Juve në presion të Romës

Nga Interi te Interi, ndryshimi i madh i Juventusit mund të përmblidhet shumë thjesht në harkun e vetëm 16 ditëve. Nga disfata e turpshme me zikaltrit në kampionat, “zonja e vjetër” tashmë numëron plot pesë fitore radhazi në të gjithë kompeticionet, madje triumfi brenda në Milano ndaj Interit pak ditë më parë në Kupën e Italisë i ka shtyrë përpara bardhezinjtë, drejt një finaleje të mundshme në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm në Apenine.

Të martën në mbrëmje, ndonëse pa dyshen Lukaku – Hakimi Interi zhbllokoi herët rezultatin, duke krijuar përshtypjen e një tjetër suksesi ndaj rekordmenëve të futbollit të këtij vendi, megjithatë kundërpërgjigja e Juventusit nuk vonoi dhe “zebrat” përmbysën gjithçka që në pjesën e parë të ndeshjes, për të hedhur një hap të sigurt drejt finales së 19 majit në Kupën e Italisë. Në aspektin e lojës gjërat nuk është se kanë ndryshuar shumë, për më tepër në dy sfidat e fundit në “Marassi” dhe “San Siro” në faza të caktuara të ndeshjes bardhezinjtë janë shfaqur me shumë probleme.

Kështu nga një prej ndeshjeve më të dobëta në karrierë ylli i skuadrës Cristiano Ronaldo kaloi te një 2-golësh shumë i rëndësishëm për moralin e ekipit, por ecuri të ngjashme plot ulje-ngritje kanë patur gjatë këtij sezoni edhe shumë lojtarë të tjerë të kampionëve në fuqi. Këto vitet e fundit është parë vazhdimisht të përsëritet e njëjta histori dhe Juventusi ka pësuar një ndryshim të dukshëm sidomos në periudhën e muajve shkurt – mars. Ekipi duket se është ngritur në fluturim dhe po bëhet gati për të kapur lartësinë e duhur. Rendimenti i skuadrës është rritur ndjeshëm, aq sa tani bardhezinjtë krenohen me 5 fitore në 6 sfidat e fundit në Serinë A.

Përballë qëndron Roma, sidoqoftë futbollistët vendas e kanë të qartë misionin e tyre dhe bardhezinjtë do të bëjnë çmos për të siguruar 3 pikët e radhës në shtëpi. Humbja e rëndë me Fiorentinën brenda në Torino duket se është harruar me shpejtësi dhe trajneri Andrea Pirlo ka fituar qetësinë e nevojshme, për më tepër skuadra është pak a shumë e plotë në dispozicion të trajnerit breshan, që nuk do të ketë vetëm futbollistët Paulo Dybala për arsye dëmtimi si dhe mesfushorin uruguaian Rodrigo Bentancur, që do të mungojë për shkak kartonësh. Për momentin Juventusi pozicionohet në vendin e katërt me vetëm një pikë më pak se se Roma, megjithëse për hir të së vërtetës kampionët në fuqi kanë gjithashtu edhe ndeshjen me Napolin për të rikuperuar.

Në krahun tjetër pavarësisht luhatjeve të theksuara, humbja me Lacion në derbi përfaqëson edhe disfatën e vetme të verdhekuqve në 7 ndeshjet e fundit të Serisë A. Në mënyrë të pabesueshme klubi kryeqytetas vijon të mbetet në shkallët e sipërme të tabelës së renditjes, madje aktualisht me vetëm 6 pikë më pak se sa kuqezinjtë e Milanit, që kanë qenë gjatë gjithë kohës në krye. Lideri i skuadrës është shndërruar 32-vjeçari armen Henrikh Mkhitaryan me 9 gola, megjithëse në këtë aspekt Juventusi ka pikërisht golashënuesin më të mirë të kampionatit Cristiano Ronaldo, që udhëheq me 15 gola. Për vendasit në horizont shfaqen ndeshje shumë të forta me Interin në Kupë, Napolin kampionat si dhe Porton në Champions, kështu që bardhezinjtë do të japin maksimumin në fushë për t’u ngjitur akoma më shumë në klasifikimin e përgjithshëm.

Trajneri Paulo Fonseca nuk do të ketë në dispozicion për arsye dëmtimi lojtarë si Zaniolo apo Smalling , ndërsa Lorenzo Pellegrini është i skualifikuar. Tre sfidat e fundit i kanë prodhuar që të tre rezultatet. Në edicionin e kaluar verdhekuqtë triumfuan brenda në Torino pikërisht në javën e fundit me shifrat 3-1, duke prishur në njëfarë mënyre festën e titullit, ndërsa katër muaj më parë në përballjen e fazës së parë në fundin e muajit shtator ishte veterani portugez që ktheu dy herë ekipin e tij për të mbajtur “zonjën e vjetër” në një barazim 2-2. Takimi do të mbahet në “Allianz Stadium” në orën 18:00 dhe do të drejtohet nga kryesori Daniele Orsato.

Megjithatë kampionati italian do të vijë edhe me tre ndeshje të tjera mjaft interesante, pasi në orën 15:00 Atalanta do të presë Torinon në Bergamo, me synimin për t’u rikthyer te fitorja, pas disfatës ndaj Lazios fundjavën e kaluar.

Po në orën 15:00, në “Mapei Stadium” do të luhet ndeshja mes Sassuolos dhe Spezias, ndërsa në mbrëmje vëmendja do të jetë në “Marassi”, ku Genoa do të presë Napolin e Gennaro Gattussos.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat