Kukësi kundër Partizanit

Futboll

Kukësi kundër Partizanit

Më: 16 shkurt 2021 Në ora: 14:23
Kukësi kundër Partizanit

Kukësi-Partizani, një sfidë skuadrash, peshash të rënda në stol e madje edhe një kokë trajneri në mes. Pa harruar dhe statistikat që janë në favor të  të të kuqve të Ilir Dajës, për Partizanin flet jo vetëm forma momentale, (Partizani nuk e njeh humbjen në këtë 2021), por edhe duelet e drejtëpërdrejta.

Kukësi këtë sezon mund të konsiderohet “viktima e preferuar” për 16 herë kampionët që ndaj verilindorëve i kanë fituar të dyja përballjet e fazave të para, me një bilanc të përgjithshëm prej 6 golash të shënuar dhe vetëm 1 të pësuar. Duke nisur nga sfida e fazës së parë, kur një Partizan që e niste sezonin me shumë skepticizëm, imponohej 2-0 në transfertën e Loro Boriçit me golat e Lucas Cardozo dhe Solomon, duke gjetur forcë e më tepër vetëbesim pikërisht te ajo fitore ndaj Kukësit të Skënder Gegës.

Në fazën e dytë, me Partizanin pritës në Elbasan Arena bilanci ishte edhe më i dhimbshëm për verilindorët, një fitore 4-1 e imponuar nga furia e kuqe, Jasir Asani, Bitri, Bardhi dhe Mala shënonin emrin në një fitore të rëndësishme që i kushtoi stolin Skënder Gegës, me trajnerin që  dha dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës pikërisht pas asaj disfate. Në garën për të shkurtuar distancën me kreun, skuadra e Ilir Dajës gjen sërish Kukësin, duke shpresuar që të vazhdojë e njëjta histori, edhe pse situatat në futboll gjithmonë ndryshojnë.

Kukësi tanimë ka në drejtim Mirel Josën, që synon t’i japë kompaktësi një grupi që më së shumti është varur nga kuakliteti i individëve, dhe vjen në një moment të mirë, pasi ka mundur Tiranën, ndërsa në 5 ndeshjet e fundit numërojnë 4 fitore dhe vetëm një humbje, atë me Kastriotin.

Një duel interesant stolash mes dy prej trajnerëve më të titulluar në vend, Dajës që titullin kampion e ka fituar me 3 skuadra të ndryshme, dhe Mirel Josës që me 4 tituj me Skënderbeun dhe një me Tiranën është trajneri me palmaresin më të pasur në qarkullim për sa i përket numrit të kampionateve . Të janë të vetmit trajnerë që mund të krenohen se kanë çuar një skuadër shqiptare në grupet e Europa League, pikërisht Skënderbeun. Në këtë përballje dy trajnerët më të suksesëshëm shqiptarë vijnë me dy misione të ndryshme, Ilir Daja për të përsëritur të njëjtën histori në përballjet  e tij me Kukësin, Josa për të bërë që më në fund, historia e Kukësit ndaj të kuqve të ndryshojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat