UEFA nuk toleron më

Futboll

UEFA nuk toleron më

Më: 23 shkurt 2021 Në ora: 12:46
UEFA nuk toleron më

Sektori i Licencimit në Federatën Shqiptare të Futbollit ka realizuar takime kokë më kokë gjatë muajit të kaluar me presidentët e klubeve të Kategorisë Superiore që aplikojnë për të marrë një licencë nga UEFA. Si kurrë më parë, pjesë e këtyre takimeve informuese dhe shpjeguese, ka qenë edhe vetë presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

“Laku” është ngushtuar dhe nëse në vitet e kaluara UEFA toleronte klubet shqiptare duke pasur parasysh problematikën e tyre dhe faktin që mbahen nga të ardhurat e pjesëmarrjes në Europë, tashmë gjithçka bëhet edhe më e vështirë.

Këtë vit rregullorja e licencimit të klubeve të Superiores është përafruar me rregulloren e UEFA-s për pjesëmarrjen në kompeticionet europiane. Gjatë takimeve me presidentin Duka, klubet u njohën me të gjitha kriteret që duhet të plotësojnë në mënyrë që të pajisen me licencën e UEFA-s: kriterin sportiv, infrastrukturor, administratë-personel, ligjor dhe financiar.

Natyrisht që kriteri financiar mbetet më i rëndësishmi, pasi shumica e klubeve të Superiores kanë detyrime të prapambetura. FSHF ka urdhëruar klubet që çdo informacion për kriterin financiar duhet ta raportojnë “online”.

Për katër kriteret e para, afati i fundit ishte data 31 janar 2021. Të gjitha klubet duhet të depozitonin dosjet dhe dokumentet e protokolluara pranë Sektorit të Licencimit në FSHF. Për kriterin financiar afati i brendshëm është 28 shkurt, ndërsa ai përfundimtar 31 mars. Komisioni i Licencimit do të japë vendimin në mes të prillit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat