Reali në Bergamo

Futboll

Reali në Bergamo

Më: 24 shkurt 2021 Në ora: 11:17
Reali në Bergamo

Atalanta ka një takim të ri me historinë, sonte nga ora 21:00 në “Gewiss Stadium”. Real Madridi mbërrin në Bergamo për raundin e 1/8 finale të Ligës së Kampionëve. Një sfidë që ishte e pamendueshme vetëm disa vite më parë.

“Për ne mbetet një ngjarje, kemi disa stimuj më shumë. Duam të shkojmë në Madrid me shanse reale për kualifikim. Kjo ndeshje nuk është asgjë më shumë se gjysma e punës. Në kthim do të mendojmë për kualifikimin eventual”. Gian Piero Gasperini e prezantoi në këtë mënyrë përballjen me “Los Blancos”, në konferencën për shtyp. Një shenjë se Atalanta nuk është më “Hirushja” e ditës, por një realitet i fortë. Asnjë dëshirë për t’u fshehur.

Atalanta dëshirojnë të luajnë ballë për ballë, duke qëndruar në garë për kualifikimin dhe më pas duke luajtur gjithçka në Madrid.

Atalanta ka vetëm një precedent kundër skuadrave spanjolle në garat europiane; në 1/6 finale të sezonit të kaluar, kundër Valencia, e fituar nga bergamaskët me rezultatin e përgjithshëm 8-4. Real Madridi i ka fituar të gjitha, pesë ndeshjet e fundit në Champions, kundër ekipeve italiane (12 gola të shënuar), ndërsa në 16 ndeshjet e mëparshme jashtë, pra në Itali, kishte pasur sukses vetëm tri herë. Mbretërorët spanjollë, gjithashtu e kanë gjetur rrugën e golit në të gjitha, 19 ndeshjet e tyre të fundit kundër ekipeve italiane. Rivali italian i fundit, kundër të cilit ata kanë humbur, është Juventusi, në nëntor 2008 (0-2).

Asnjëherë mos ndryshoni një ekip fitues. Kjo është motoja e trajnerit Gasperini. Ai mbeti i kënaqur me fitoren ndaj Napolit dhe nuk dëshiron ta ndryshojë formacionin, madje edhe me koston e heqjes dorë fillimisht nga Josip Ilicic. Muriel dhe Zapata do të shoqërohen akoma nga Pessina. Maehle shtrëngohet në të djathtë, duke pasur parasysh mosdisponueshmërinë e Hateboer. Në mbrojtje, treshja do të formohet nga Toloi, Romero dhe Djimsiti.

Në kahun tjetër ka mungesa me shumicë. Benzema, Valverde, Rodrygo, Hazard, Sergio Ramos, Carvajal, Militao, Odriozola dhe Marcelo, të gjithë janë të padisponueshëm për Real Madridin. Rezultati? Vetëm një lojtar jashtë skuadrës së parë shkon në stol dhe me siguri do të jetë Isco, siç ndodhi kundër Valladolid. 11 lojtarët e tjerë të disponueshëm në fushë, të gjithë lojtarët e Castilla në stol. Fati i sulmit do t’i besohet Mariano Diaz.

Ja formacionet e mundshme:
ATALANTA (3-4-1-2): Gollini; Toloi, Romero, Djimsiti; Maehle, De Roon, Freuler, Gosens; Pessina; Muriel, D. Zapata.
REAL MADRID (4-3-3): Courtois; Vazquez, Varane, Nacho, Mendy; Modric, Casemiro, Kroos; Asensio, Mariano, Vinicius Junior.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat