Nga kafshimi te pickimi

Futboll

Nga kafshimi te pickimi

Më: 24 shkurt 2021 Në ora: 13:40
Nga kafshimi te pickimi

Luis Suarez vihet sërish në qendër të polemikave. Uruguajani, ende thatë (pa gol) në Ligën e Kampionëve për këtë sezon, u bë përsëri protagonist për një gjest të keq në fushë.

Gjatë ndeshjes Atletico Madrid-Chelsea, të cilën anglezët e fituan 1-0, Suarez ka humbur durimin me Antonio Rüdiger. Në minutën e 79-të, të dy u përleshën, me ish-lojtarin e Romës duke u përballur “dhëmbë për dhëmbë” me kundërshtarin. Nëse në këtë moment nuk dukej qartë arsyeja e reagimit të furishëm të mbrojtësit blu, mediat kanë zbuluar misterin.

Nga imazhet duket se ish-bomberi i Barcelonës e pickoi fort në kofshë Rüdiger. Gjesti do të shkaktonte të qeshurën e të parit dhe tërbimin e të dytit, i cili u përball me Suarez ballë për ballë, para se arbitri të ndërhynte për t’i ndarë. “Kur i qortoni fëmijët tuaj dhe ata kalojnë nga kafshimi te pickimi, keni bërë përparime”, – tha me shaka ish-mesfushori i Chelsea, Joe Cole, tani komentator i një televizioni britanik.

Suarez nuk është i huaj për gjestet e këqija në fushë. Kafshimet ndaj kundërshtarëve të tij gjatë viteve të karrierës janë sa të famshme, aq edhe josportive.

Në vitin 2010, uruguajani u pezullua për shtatë ndeshje, sepse kafshoi në shpatull mesfushorin e atëhershëm të PSV, Otman Bakkal. Tri vite më vonë, pezullimi u rrit në 10 ndeshje, pasi kafshoi në krah Branislav Ivanovic, në atë kohë mbrojtës i Chelsea.

Më shtrenjtë e pagoi në Kupën e Botës 2014, kur kafshoi Giorgio Chiellini. Pezullimi për sulmuesin e Uruguajit ishte 4 muaj në total (përfshirë ndeshjet e klubit) dhe 9 ndeshje me ekipin kombëtar. Edhe pse pickimi nuk mund të klasifikohet si një akt i mirëfilltë i sjelljes së dhunshme, mbetet të shihet nëse UEFA do të vendosë ta sanksionojë atë apo jo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat