Rrëfehet Salah

Futboll

Rrëfehet Salah

Më: 30 mars 2021 Në ora: 13:33
Rrëfehet Salah

Afrohen çerekfinalet e Championsit dhe një ndër sfidat më të pritura është ajo mes Liverpoolit dhe Realit të Madridit. Klopp kundër Zidane, por mbi të gjitha Salah kundër Sergio Ramos, në një rikthim të finales së Kievit, një sfidë që hyri në historinë e kompeticionit.

Është pikërisht Salah ai që flet në një intervistë dhe jo rastësisht duke qenë se egjiptiani është një ndër objektivat e merkatos së Realit dhe flitet për një lamtumirë të mundshme nga “Anfield”, në fund të sezonit. Gjithsesi, për merkaton ka kohë, tani i duhet të përqendrohet në dy ndeshje që nuk janë të zakonshme. Në dispozicion të Zidane është Vinicus, djalosh me një talent të jashtëzakonshëm, por që nuk shënon aq sa pritet prej tij, për të Salah ka një këshillë personale.

“Nuk kam lindur goleador, por kam punuar shumë. Kujtoj se, kur luaja me Bazelin, nuk shënoja shumë, pastaj shkova te Chelsea, Fiorentina dhe Roma. Aty punova shumë me Spalletin, thuajse çdo ditë pas stërvitjes shkonim, unë dhe ai, në fushë dhe punonim për finalizimin, ndërtova një fushë të vogël edhe në kopshtin e shtëpisë për t’u stërvitur”.

Për sa u përket trajnerëve, nga Salah vijnë fjalë të ëmbla mjaltë për Zidane.

“Është trajner i madh, ka fituar 3 Champions dhe po bën shumë mirë. Ishte një ndër idhujt e mi si futbollist, kur isha i vogël, dhe është po kaq i mirë edhe si trajner”.

Çfarë mund të thuhet atëherë për trajnerin e tij aktual, Jurgen Klopp?! Salah flet me një ftohtësi shqetësuese.

“Ai, yni, është një raport normal mes profesionistësh, kështu mund ta përshkruaj”.

Një frazë që të bën të mendosh për atë që flitet në merkato, me tifozët që pyesin nëse një ditë do të luajë në La Liga, ndoshta te Reali i Madridit. Në këtë rast, sulmuesi, “luan në mbrojtje”.

“E ardhmja nuk varet nga unë. Të shohim se çfarë do të ndodhë, por preferoj të mos flas tani. Shpresoj që të luaj gjatë futboll, kështu që, përse jo? Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë, ndoshta një ditë do të luaj në Spanjë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat