Pak gjasa për titull

Futboll

Pak gjasa për titull

Më: 4 prill 2021 Në ora: 12:00
pirlo

Juventusi nuk shkoi përtej barazimit 2-2 në derbin ndaj Torinos dhe doli nga gara për titullin e 10 kampion radhazi, pasi tashmë Interi është shkëputur ndjeshëm me plot 12 pikë përpara, kur kanë mbetur edhe 10 javë deri në fund të sezonit.

Trajneri Andrea Pirlo nuk e fshehu zhgënjimin në fund të derbit dhe pranoi momentin e vështirë që po kalon skuadra, teksa tha se për të dalë nga kjo gjendje, nevojiten disa fitore radhazi.

“Kur nuk fiton, nuk mund të jesh i kënaqur, por thjesht duhet të punosh dhe të përmirësohesh. E dimë që po kalojmë një moment të vështirë dhe po punojmë për t’u përmirësuar, por kemi nevojë për disa fitore radhazi, që të rritemi moralisht”, u shpreh tekniku bardhezi.

Juventus kaloi i pari në avantazh në derbi, por më pas pësoi dy gola, duke komplikuar totalisht ndeshjen, ndërsa Pirlo pranoi se gabimet po ndodhin shpesh dhe po bëjnë që skuadra të lërë pikë rrugës.

“E kemi komplikuar vetë ndeshjen, pasi kaluam në avantazh dhe mund ta menaxhonim shumë më mirë lojën. Ai gabim si te goli i dytë ndodh në një ndeshje futbolli, por ne po na ndodhin pak si shpesh.

Nuk jemi të kënaqur me ecurinë e sezonit, pasi po lëmë shumë pikë rrugës, por duhet të punojmë edhe më shumë për t’u përmirësuar”, mbylli deklaratën e tij Pirlo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat