Sfidë e vështirë për Vllazninë

Futboll

Sfidë e vështirë për Vllazninë

Më: 10 prill 2021 Në ora: 11:12
Sfidë e vështirë për Vllazninë

Java e 27-të e Kategorisë Superiore e fundit për fazën e tretë luan sot 4 nga 5 ndeshjet e këtij raundi. Vëmendjen kryesore e merr sfida mes Laçit dhe Vllaznisë që do të zhvillohet në Kurbin. Skuadra e Shpëtim Duros edhe pse vjen nga dy humbje radhazi është favorite për të marrë maksimumin përballë shkodranëve pasi Laçi e ka mposhtur 2 herë Vllazninë në këtë sezon.

Sfidë interesante konsiderohet edhe dueli mes dy ekstremeve të renditjes, Apolnisë së vendit të fundit që pret në Fier, Teutën e vendit të parë. Miqtë do të kërkojnë maksimumin në këtë transfertë edhe pse përballë një Apolonie që luan shanset e saj të fundit për të qëndruar në Superiore nuk do të jetë e lehtë. Këto dy sfida do të zhvillohen në orën 16:00 ndërkohë që në 13:00 janë në program dy ndeshje të tjera shumë interesante.

Në Korçë Tirana do të synojë të afrohet më shumë me kreun e renditjes duke fituar ndaj Skënderbeut por bardhekuqtë e Memellit po kalojnë një moment shumë të mirë dhe kanë rritur shpresat për mbijetesë.

Barazimi nuk i mjafton asnjërës prej dy skuadrave prandaj pritet një ndeshje e hapur dhe me gola. Një sfidë të vështirë ka Kukësi që do të luajë në Kamëz ndaj Kastriotit në një moment krize dhe për më tepër do të ketë përballë një ekip ndaj të cilit nuk ka marrë asnjë pikë në dy ndeshje gjatë këtij sezoni.

Në këtë sfidë nuk ka favoritë por një tjetër rezultat negativ do të vendoste në pozita shumë të vështira Kukësin e Josës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat