Teuta për hakmarrje

Futboll

Teuta për hakmarrje

Më: 18 prill 2021 Në ora: 11:05
Teuta për hakmarrje

Kualifikimi në finalen e Kupës së Shqipërise, pas fitores 1-0 përballë Laçit, ka rikthyer entuziazmin dhe besimin te Vllaznia, që pas dy barazimeve radhazi ndaj Partizanit dhe kurbinasve, do të provojë të rikthehet te suksesi edhe në kampionat.

Në sprintin final të Kategorisë Superiore, kuqeblutë do të kërkojnë të rimarrin kryesimin, një pozicion që kanë mbajtur më shumë se askush tjetër këtë sezon dhe për këtë arsye janë të dënuar të marrin tre pikët në Fier përballë Apolonisë vendase.

Shkodranët udhëtojnë me grupin e plotë dhe moralin e lartë në “Loni Papuçiu”, aty ku në orën 13:00 do të përballen me një Apoloni thuajse të rënë në Kategorinë e Parë e me probleme të shumta në skuadër, që vështirë se mund t’u bëhet pengesë kuqebluve.

Në orën 16:00 vëmendja do të jetë në Korçë, ku Teuta do të kërkohë të marrë hak ndaj Skënderbeut për eliminimin nga Kupa katër ditë më parë dhe njëkohësisht të blindojë pozitat në vendin e parë.

Po kaq i rëndësishëm është ky takim edhe për vendasit, që besojnë shumë te mbijetesa dhe ndaj durrsakëve kanë një tjetër finale për ta fituar e për t’u afruar edhe më shumë me rivalët direkt si Bylis e Kastrioti.

Sfida tjetër e javës do të jetë ajo mes Laçit dhe Bylisit, një përballje që ka prodhuar vazhdimisht luftë të fortë sportive e tension, teksa në fazën e tretë nuk munguan as grushtet në fushë me protagonist sulmuesin Nwabueze.

Kurbinasit janë përfshirë nga një ngërç kohët e fundit dhe eliminimi nga Kupa e Shqipërisë i ka nervozuar jo pak, ndaj sot do të kërkojnë tre pikët për të tentuar triumfin në kampionat.

Nga ana tjetër mallakastriotët besojnë te qëndrimi direkt në elitë dhe duan të shfrytëzojnë në maksimum humbjen e Kastriorit dje ndaj Partizanit, për t’u afruar edhe më shumë me krutanët.

Të tre sfidat do të transmetohen live në ekranin e Supersport, bashkë me emisionin dedikuar Kategorisë Superiore, “Gol pas Goli”, që do të sjellë analiza, komente dhe intervista të protagonistëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat