Bujar Guta - lojtar i dalluar në Gjeneratën e Republikës: Milicia serbe na nxorën jashtë...

Futboll

Bujar Guta - lojtar i dalluar në Gjeneratën e Republikës: Milicia serbe na nxorën jashtë...

Nga: Kemajl Goca Më: 25 prill 2021 Në ora: 18:24
Bujar Guta

Futbollistët si çdo sport tjetër në Kosovë, kanë përjetuar tortura të llojllojshme nga regjimi kriminal serb gjatë viteve të 90-ta (1991-1999).

Sportistët shqiptarë kudo ishin të maltretuar, disa u morën në biseda informative, disa u rrahën, disa edhe u burgosën vetëm pse luanin në garat e Republikës së Kosovës!

Bujar Guta i takon Gjeneratës së Republikës dhe ka qenë prej futbollistëve më të mirë, duke mbrojtur me sukses ngjyrat e klubit me renome Vëllaznimi nga Gjakova dhe ishte pjesë e Kombëtares së Kosovës. 

Image

Kombëtarja e Kosovës në vitet e 90-ta, nga e majta lartë: Besnik Hasi, Bujar Guta, Selajdin Jerliu, Luan Tabaku, Ahmet Beselica dhe Kujtim Shala.
Nga e majta ulur: Baki Bulliqi, Jeton Çubreli, Besnik Kollari, Afrim Tovërlani dhe Fadil Berisha. Foto Gani Kosumi.

Gutës i kujtohen shumë raste të rënda nga okupatori serb, por që i ka veçuar tri raste.   

“Viti 1994/1995, po shkonim me luajt në Dragash, rreth 2 kilometra në hyrje të Opojës ishte stacioni policor serb, na ndaluan dhe trajnerin F. Zhubi, G. Hoxha dhe kryetarin e klubit Bajram Bardhi i morën brenda dhe i maltretuan për orë të tëra (6-8), kurse ne nuk guxonim të dilnim nga autobusi as edhe për nevoja personale, ishte tmerr i vërtet. 

Pastaj na liruan dhe nuk guxuam ta zhvillonim ndeshjen, u kthyem për Gjakovë. 

Rasti tjetër në vitin 1996/1997 ishim unë: B. Guta, L. Tabaku, N. Jasiqi dhe trajner G. Hoxha, të gjithë pjesë e Kombëtares së Kosovës, ishte faza përgatitore në Vranjevc të Prishtinës në stadiumin e Flamurtarit (1 muaj) dhe ne udhëtonim çdo ditë Gjakovë - Prishtinë dhe patjetër duheshim ta kalonim ‘punktin’ famëkeq të Komoranit, një ditë na ndalen dhe na kontrolluan hollësisht, sepse ata kishin Informacione për ne, na nxorën jashtë dhe na maltretuan psikikisht nja 2-3 orë sepse i gjetën fanellat tona Kuq e Zi në bagazh. 

Pyetja kryesore e tyre ishte: “Za koga igrate”, kuptohet se nuk mund t’i thonim për Republikën e Kosovës, ne heshtnim dhe ndonjëherë fillonin të gjuanin, e kështu me radhë. Ka pas raste kur luanim në Novosellë tē Gjakovës dhe duke fituar ndeshjen (ju interesonte rezultati) dhe na ndërprenin, i merrnin topat, rrjetat dhe trajnerin, kryetarin dhe i shoqëronin në polici (maltretime) dhe shumë e shumë raste tjera”, tregon Guta për gazetën kombëtare “Bota sot”. 

Ai është krenar që i takoi gjeneratës së sakrificës, që dha kontribut të madh pr sportin dhe shtetin e Kosovës dhe me një armatë sportistësh i rezistuan regjimit serb.

Sot është i lumtur që djemtë dhe vashat tona lozin të lirë, pa u penguar nga askush, kur dihet se në vitet e 90-ta stadiumet dhe palestrat sportive u uzurpuan nga regjimi serb.  Në vitet e 90-ta, lozën në terrene të improvizuara edhe aty të përndjekur e të rrahur nga milicia serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat