Sherr Klopp - Ceferin

Futboll

Sherr Klopp - Ceferin

Më: 27 prill 2021 Në ora: 11:10
Sherr Klopp - Ceferin

Jyrgen Klop është paralajmëruar se ai duhet ta ulë rrogën nëse do më pak ndeshje në formatin e ri të Championsit.

Pas prishjes së planeve të klubeve për krijimin e Super Ligës, UEFA është përballur me kritika për planet e saj për të rritur numrin e skuadrave në kompeticionin e saj elitar nga 32 në 36 prej sezonit 2024-‘25. Ky format e sheh fazën e grupeve të zëvendësuar me një format kampionati përpara fazës me eliminim direkt, duke rritur kështu numrin e ndeshjeve për çdo skuadër.

Duke folur përpara ndeshjes me Njukasëllin në fundjavë, trajneri i Liverpuli tha: “Dhjetë ndeshje nga 6 dhe nuk ka asnjë ide se kur do të luhen. Njerëzit e vetëm që nuk pyeten kurrë janë trajnerët, lojtarët dhe tifozët. UEFA nuk na pyeti ne, Super Liga nuk na pyeti ne. Është gjithnjë tendenca për të luajtur më shumë ndeshje. Champions-i i ri? Cila është arsyeja e krijimit të tij? Paratë… Nuk ia kam idenë se si do t’i menaxhojmë edhe më shumë ndeshje. Nuk mund të ketë 20 skuadra në kampionat, dy kompeticione Kupe, 10 ndeshje ndërkombëtare përpara Krishtlindjeve. Këto gjëra nuk janë të mundura”. Por, presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, i kundërpërgjigjet gjermanit, pavarësisht se ai thotë se është i hapur ndaj ideve alternative.

Gjithsesi, shefi i qeverisë europiane të futbollit shton se futbollistët dhe trajnerët duhet të pranojnë një ulje rroge, nëse formati i Champions-it mbetet ky që është. Slloveni tha për “Daily Mail”: “Disa trajnerë dhe lojtarë thanë se ka shumë ndeshje. Mund të ketë gjithnjë më pak të tilla, por edhe rrogat e lojtarëve dhe trajnerëve duhet të përshtaten. Ti nuk mund të gjenerosh më pak dhe të fitosh më shumë gjatë gjithë kohës. Lexoj disa njerëz që thonë: ‘Nuk duam më shumë ndeshje’. Jam dakord me këtë, me të vërtetë.

Nëse Champions-i qëndron kështu siç është, do të ishte ende kompeticioni më i bukur në botë. Reformat tona u bënë sepse klubet kanë nevojë për ndihmë për t’iu përgjigjur krizës financiare. Nuk mund të vazhdojmë siç jemi, por klubet do të dalin nga gara. Dhe kush lëndohet më shumë? Tifozët e tyre. Kështu që ndërsa i kuptoj atë çfarë disa njerëz thonë, unë doja t’i pyesja: ‘Cila është zgjidhja juaj?’

Ne besojmë se reformat do të sjellin avantazhe për të gjithë. Por, nëse këta njerëz kanë ide më të mira sesa tona, unë do të dëgjoj”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat