Barcelona - Atletico apo Messi kundër Suarezit

Futboll

Barcelona - Atletico apo Messi kundër Suarezit

Më: 8 maj 2021 Në ora: 11:25
Barcelona - Atletico apo Messi kundër Suarezit

Barcelona - Atletico apo Messi kundër Suarezit!

Sezoni po i afrohet fundit dhe në shumë vende janë dhënë pak a shumë verdiktet apo janë konturuar edhe skuadrat kampione, megjithatë, në ligën spanjolle, kur mbeten thjesht katër javë deri në mbylljen e këtij edicioni të Primera Division, gjithçka mbetet e hapur dhe në letër janë plot katër klube që ushqejnë shpresa për titullin. Llogaritë mbeten të ndërlikuara, sidoqoftë 11-metërshi i padhënë në mënyrë absurde nga kryesori Gil Manzano për një prekje të dukshme të topit me dorë në zonën e Athletic Bilbaos ndihmoi të hënën në mbrëmje qartësisht “fuqitë e mëdha” të futbollit spanjoll, duke reduktuar ndjeshëm shpresat e skuadrës andaluziane të Seviljes.

Me shumë gjasa, një ide më e qartë për sa i përket titullit të sivjetshëm në Primera Division do të krijohet në javën e 35-të, kur kalendari përplas ndërmjet tyre pikërisht katër skuadrat e kreut. Përballja Real – Sevilja do të luhet të dielën në mbrëmje, në orën 21:00, në stadiumin “Alfredo di Stefano”, këshuqë vëmendja fillimisht do të përqendrohet në sfidën Barcelona – Atletico Madrid.

Pavarësisht disfatës së papritur me Granadën, dhjetë ditë më parë, kur skuadra “blaugrana” lëshoi avantazhin, duke pësuar në mënyrë të pabesueshme dy gola në gjysmë orën e fundit të takimit, për më tepër brenda në “Camp Nou”, përsëri klubi katalanas ka mundësi vërtet shumë të mira për t’u rikthyer pas vetëm dy vjetësh te titulli. Pas humbjes së turpshme me Bayernin në Champions përgjithësisht kanë qenë nëntë muaj të mbushur me ulje-ngritje në Katalunjë, me plot ngjarje e zhvillime, që kanë ndryshuar humorin e gjithë ambientit “blaugrana” në varësi të lajmeve të shumta, shpeshherë kontradiktore dhe pa reflektuar ndonjë siguri të veçantë për të ardhmen e klubit të famshëm spanjoll.

Ndeshja Barcelona – Atletico do të zhvillohet në “Camp Nou”, në orën 16:15, dhe do të drejtohet nga 44-vjeçari valencian Mateu Lahoz, sidoqoftë vlen të përmendet fakti që Diego Simeone nuk ka fituar kurrë si trajner i bardhekuqve brenda në këtë stadium.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat