Suarez kërkon hakmarrje

Futboll

Suarez kërkon hakmarrje

Më: 8 maj 2021 Në ora: 13:44
Suarez kërkon hakmarrje

Shtatë vite pas barazimit 1-1 në “Camp Nou” në javën e fundit të sezonit që kurorëzoi Atletikon e Madridit kampione të La Ligës për herë të parë në stadiumin e Barcelonës, dy skuadrat rikthehen të shohin njëra-tjetrën në fytyrë në një ndeshje mjaft të rëndësishme për fatet e sezonit. Pas kësaj sfide do të mbeten edhe tri javë dhe Reali i Madridit pret ndonjë hap fals të kundërshtarëve. Dy emrat që janë të ftuar për të qenë protagonistë në këtë sfidë janë Antuan Grizman dhe Luis Suarez.

Dikur kanë ruajtur me fanatizëm fanellat e Atletikos dhe Barcelonës, ndërsa sot janë sërish kundërshtarë me ekipe të ndryshuara. Fitorja në këtë ndeshje do të jetë një hap i madh drejt titullit kampion si për Barcelonën ashtu edhe për Atletikon.

Por, katalanasit duan gjithashtu që në javët e fundit të ndalet edhe Reali i Madridit. Sido që të shkojnë llogaritë, motivimi për Grizmanin dhe Suarezin është maksimal. Sulmuesi francez është kampion bote me kombëtaren e tij në vitin 2018 dhe fitues i Europa Ligës me Atletikon. Ai kurrë më parë nuk ka arritur të fitojë një La Liga. Në javët e fundit ai ka pasur ecurinë më të mirë me fanellën e Barcelonës dhe ka arritur të shkëlqejë me skemën e re. Ai ka shënuar 14 gola dhe ka dhënë 10 asiste që nga fillimi i vitit 2021. As qëndrimi në stol kundër Realit të Madridit nuk ia ka hequr besimin. Në total ka arritur të shënojë 19 gola dhe të japë 12 asiste në 47 ndeshje.

SUAREZ – Përballë tij do të jetë golashënuesi i tretë më i mirë i historisë së Barcelonës me 199 gola në 6 vite, Luis Suarez. Kjo është hera e parë që ai rikthehet si kundërshtar në “Camp Nou” dhe ka premtuar se nuk do të festojë në rast se shënon gol. “Sigurisht që nuk festoj, por do të jepja një mesazh”, ka thënë uruguaiani. Sigurisht që ai e kishte për Bartomeun, i cili e largoi.

Në moshën 33- vjeçare, Suarez ka shënuar 19 gola në 34 ndeshje zyrtare, por vetëm 3 në tre muajt e fundit. Ai nuk e ka gjetur ende rrugën e rrjetës pas rikthimit nga dëmtimi.

Suarez do të sfidojë gjithashtu edhe mikun e tij Mesi, me të cilin ka fituar 3 La Liga, por sot gjithkush do të mendojë për skuadrën e tij. Suarez nuk luajti në ndeshjen e parë kundër Barcelonës në “Vanda Metropolitano” për shkak se ishte i prekur me COVID, por këtë sfidë nuk mund ta humbte. Është një finale, ku do të kërkojë hakmarrjen edhe ndaj trajnerit Kuman, i cili vendosi ta largonte.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat