E ardhmja e Contes në dyshim

Futboll

E ardhmja e Contes në dyshim

Më: 22 maj 2021 Në ora: 11:25
E ardhmja e Contes në dyshim

Në fillim mbyllja zyrtare e kampionatit dhe festa e titullit, më pas e ardhmja. Kjo është rruga që kanë vendosur të ndjekin drejtuesit e Interit, që janë të përqendruar maksimalisht te sfida e nesërme ndaj Udineses, ku menjëherë pas vërshëllimës finale, do të organizohet edhe ceremonia e dorëzimit të titullit kampion.

Vetëm pasi të kenë përfunduar të gjithë angazhimet sezonale dhe lojtarët të nisin pushimet (një pjesë do të grumbullohen për Euro 2020-ën), drejtuesit do të ulen për të folur për të ardhmen, teksa është planifikuar një takim i zgjeruar mes presidentit Zhang, trajnerit Conte dhe dyshes së merkatos, Marotta-Ausilio.

Marrëveshja me fondin amerikan Oaktree “u ka dhënë oksigjen” financave të klubit zikaltër, megjithatë trajneri Conte do të kërkojë garanci të mëdha sportive për të vijuar punën e tij në pankinën e Interit edhe për sezonin e ri.

Kushti i Contes është që të mos preket asnjë nga ata që cilësohen si boshti i skuadrës dhe bëjnë pjesë emra si De Vrij, Bastoni, Hakimi, Brozoviç, Barella e Lukaku, si dhe afrimi i lojtarëve cilësorë, që do të Përmirësojnë edhe më shumë formacionin zikaltër.

Nga ana tjetër drejtuesit do të provojnë të sakrifikojnë të paktën një futbollist të rëndësishëm dhe emrat që mund të lënë Milanon këtë verë janë Lautaro Martinez, Cristian Eriksen e Milan Skriniar, të cilët mund të sjellin para për të sponsorizuar merkaton e kësaj vere.

Megjithatë situata është e paqartë dhe Conte dëshiron “të vendosë pikat mbi i” para se të niset me pushime, për t’ia lënë më pas punën në dorë dyshes Marotta-Ausilio, të cilët edhe këtë verë do të kenë misionin e vështirë të përforcojnë ekipin pa shpenzuar shumë para.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat