Gjasat e Shqipërisë për kualifikim

Futboll

Gjasat e Shqipërisë për kualifikim

Më: 17 qershor 2021 Në ora: 15:24
Duka

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka qenë i ftuar në emisionin “Euromania” që transmetohet në News 24, nën drejtimin e moderatores Enxhi Biba. Në një rrëfim për këtë emision, presidenti Duka foli për EURO 2020, që ka nisur të luhet më 11 qershor si edhe për Kombëtaren shqiptare, shanset për kualifikim në botëror dhe europianin e ardhshëm, kontingjentin e lojtarëve që ka Shqipëria si edhe zbuloi bisedat me trajnerin Reja mbi Italinë në këtë edicion të Europianit.

Bisedat me trajnerin Reja mbi Italinë – Edhe Edy Reja e sheh Italinë ndryshe, jo si ajo e kualifikueseve të kaluara kur Italia mbeti jashtë, por si një Itali që pas asaj disfate ka bërë vetëm mirë. Ka bërë mirë edhe përgatitjet për europianin, ka futbollistë të mirë dhe bëri mirë edhe në ndeshjen e parë.

Mançini te Kombëtarja? – Do të ishte luks nëse do të kishim një trajner si Mançini, për karrierën që ka, për emrin që ka dhe aq më shumë për atë që po i shton CV-së së tij tani me Italinë në EURO 2021.

Grupi i lojtarëve të Shqipërisë – Nuk është aq e thjeshtë, në letër e ndërton kollaj, por duhet ta implementosh në fushë, të kesh mundësitë, kualitetet, përgatitjet, për t’i implementuar. Është e vërtetë që ne kemi një mbrojtje shumë të mirë, mund të them në të njëjtat nivele me Italinë, por repartet e tjera nuk i kemi në të njëjtin nivel, qoftë mesfushën apo edhe sulmin, për të krijuar më shumë dhe për të qenë më shumë rezultativë.

Vështirësi për të pasur Kumbullën në Kombëtare? – Nuk e ka menduar ndonjëherë, pavarësisht se ka pasur ftesë nga Italia. Kumbulla ka luajtur edhe me ekipet e moshave të Shqipërisë, me U-19 dhe ka vazhduar normalisht me Kombëtaren e Shqipërisë. Është luks për ne të kemi një futbollist të tillë, siç kemi edhe Gjimshitin apo Hysajn, Ismajlin. Por duke pasur parasysh moshën që ka, është shumë mirë që e kemi.

Shanset për kualifikim në Botëror dhe EURO 2024 – Europiani është disi më i lehtë sesa Botërori, për t’u kualifikuar. Kuptohet, sepse shkojnë më shumë skuadra, kualifikohen dy të parat dhe e treta shkon në play-off. Edhe një mundësi tjetër nga Nations League, ku ne do të luajmë në grupin B dhe është pothuajse e sigurt që do jemi në play-off në Europian.

Por gjithsesi ne do të bëjmë maksimumin në kualifikueset e Botërorit dhe ajo që duhet të shohim është ndeshja e parë në Poloni ta përgatisim mirë dhe të marrim maksimumin. Vërtetë është grup shumë i vështirë, me skuadra të forta, si Anglia, Polonia dhe Hungaria por duhet të bëjmë maksimumin për të shkuar sa më lart.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat