Ancelotti: Më këshilluan gabim

Futboll

Ancelotti: Më këshilluan gabim

Më: 23 korrik 2021 Në ora: 20:36
Ancelotti: Më këshilluan gabim

Karlo Ançeloti në këto ditë nuk po mendon vetëm për të ndërtuar formacionin me të cilin Real Madrid do të tentojë t’u kthehet sukseseve në Spanjë dhe Europë.

Tekniku italian po përballet edhe me drejtësinë spanjolle e cila për momentin ka bllokuar pagesat e rrogës së tij pas firmës me madrilenët, për shkak të detyrimeve të prapambetura fiskale nga eksperienca e tij e parë të Reali.

Sot tekniku është shfaqur bashkë me avokatin e tij para gjykatës në Madrid për të dhënë versionin e tij të fakteve për evazionin fiskal pasi nuk ka deklaruar fitimet e plota në vitet kur drejtoi Realin në eksperiencën e parë.

Mediat spanjolle raportojnë se Ançeloti ka pranuar para gjykatës se ka mashtruar shtetin spanjoll, duke mos paguar siç duhet detyrimet në vitin 2014, të parin te Reali, duke shpjeguar se në atë rast ishte “këshilluar gabim”. Ndaj për vitin 2014, ai ishte gati të paguante menjëherë diferencën prej 300 mijë eurosh për atë vit dhe gjobën përkatëse që shoqëron vonesën.

Ndërkohë, ai konteston mospagesën për vitin e dytë fiskal, atë 2015, pasi pretendon se nuk ka bërë të paktën 183 ditë në Spanjë për t’u cilësuar rezident, pasi është shkarkuar nga Reali pas 158 ditësh duke u larguar nga vendi iberik.

Nëse do të kalonte atë numër ditësh, taksimi i tij mbi fitimin do të ishte 47% dhe jo 24,5% që ka paguar Ançeloti. Ndaj gjyqi do të vazhdojë për të zgjidhur këtë ngërç juridik, pasi trajneri italian pretendon se në këtë vit të dytë nuk duhet të paguajë e për këtë arsye ka dorëzuar sot në gjykatë edhe biletat e avionit që tregojnë udhëtimin e tij drejt Italisë, apo edhe telefonin celular që vërteton zhvendosjen nga një shtet në tjetrin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat