Ja lojtarët që pritet të largohen nga “Old Trafford”

Futboll

Ja lojtarët që pritet të largohen nga “Old Trafford”

Më: 28 korrik 2021 Në ora: 11:44
Ja lojtarët që pritet të largohen nga “Old Trafford”

Me titullin kampion që mungon prej vitesh në “Old Trafford”, Manchester United vijon të lëvizë në merkato, për të përforcuar sa më shumë ekipin dhe për të garuar denjësisht për objektiva madhorë në kampionat dhe në Champions.

Kështu “djajtë e kuq” kanë arritur ta transferojnë mesfushorin e talentuar anglez Jadon Sancho nga Borussia e Dortmundit dhe nga momenti në moment pritet të zbarkojë në Manchester edhe mbrojtësi francez Raphael Varane, i cili ka refuzuar rinovimin e kontratës me Realin e Madridit.

Mesfushori i talentuar francez Camavinga dhe mbrojtësi i djathtë Kieran Trippier janë të tjerë objektiva të Manchester United, që duket i bindur të investojë fuqishëm për t’u rikthyer edhe njëherë në majat e futbollit anglez.

Megjithatë përveç merkatos në hyrje, klubi duhet të gjejë sistemim për rreth 10 prej futbollistëve që ka aktualisht nën urdhrat e trajnerit Solskjaer, pasi jo vetëm që nuk bëjnë pjesë në planet e norvegjezit, por mund të gjenerojnë para për arkat e klubit.

Kështu në listën e atyre që mund të lënë “Old Trafford”-in këtë verë janë David De Gea, Jesse Lingard, Brandon Williams, Diogo Dalot, Alex Telles, Phil Jones, Andres Pereira, Daniel James dhe Anthony Martial.

Synimi i drejtuesve të klubit është që të arkëtojnë rreth 130 milionë euro nga shitja e këtyre futbollistëve, në mënyrë që të kompensojnë paratë e shpenzuara për blerjen e Sanchos dhe Varane, megjithatë në kushtet e një tregu në vështirësi, nuk përjashtohet që një pjesë e mirë e tyre të huazohen në klube të tjera.

Përveç tyre, një largim thuajse i sigurt është edhe ai i kampionit të Botës Paul Pogba, i cili ka refuzuar rinovimin e kontratës dhe drejtuesit e “djajve të kuq” janë të vendosur ta shesin këtë verë, për të mos e humbur me parametra zero një vit më vonë.

Për mesfushorin 28-vjeçar kanë shfaqur interes Reali i Madridit dhe Paris Saint Germain, me këta të fundit dukshëm në avantazh, pasi spanjollët duket se e kanë të vështirë të shpenzojnë rreth 60 milionë eurot që kërkohen për kartonin e Pogba.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat