Skopje ka arritur të marrë fitoren e parë në këtë sezon të kampionatit të Maqedonisë së Veriut, duke triumfuar me rezultat 2:1 ndaj Arsimit nga Çegrani, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin e Autokomandës.
Sipas mediumit maqedonas “Sportsport”, pas një serie të gjatë pa fitore, skuadra vendase më në fund ka thyer mallkimin dhe ka arkëtuar tri pikët e para të plota në këtë kampionat, duke shkuar në kuotën e shtatë pikëve.
Momenti vendimtar i pjesës së parë ishte kartoni i kuq i drejtpërdrejtë për futbollistin mysafir, Lorik Kaba, në minutën e 26-të, duke e lënë Arsimin me një lojtar më pak.
Slopje shfrytëzoi epërsinë numerike dhe kaloi në avantazh në minutën e 41-të. Ishte Gordiç ai që shënoi për 1:0, rezultat me të cilin skuadrat shkuan në pushim.
Pjesa e dytë nisi në mënyrën më të mirë për vendasit, të cilët vetëm pak çaste pas rikthimit në fushë shënuan edhe golin e dytë.
Grozdhanovski goditi drejt portës, ndërsa topi u devijua nga Fisnik Zuka dhe përfundoi në rrjetën e Arsimit për rezultatin 2:0.
Mysafirët arritën të ngushtonin rezultatin në minutën e 69-të, kur Ramadani shënoi për 2:1.
Megjithatë, deri në fund të takimit nuk pati ndryshim tjetër të rezultatit dhe Skopje festoi fitoren e parë sezonale.