Debuton me gol

Futboll

Debuton me gol

Më: 1 gusht 2021 Në ora: 12:17
Debuton me gol

Pas dy fitoreve të thella në sfidat ndaj skuadrave modeste si Pro Sesto dhe Modena, Milani i Piolit ngeci në një barazim 1-1 në miqësoren e parë të vërtetë ndaj francezëve të Nice në Allianz Riviera. Notat pozitive për kuqezinjtë në këtë sfidë ishin debutimi i portierit francez Maignan i zëvendësuar në pushim si dhe debutimi i sulmuesit francez Olivier Giroud që hyri në fushë në minutën e 61-të dhe pas 5 minutash lojë gjeti edhe golin e tij të parë me Milanin duke realizuar me kokë për t’i çuar shifrat në 1-1.

Pikërisht sinjalet më pozitive Pioli i mori nga afrimi më i fundit me veteranin francez që do të jetë një vlerë e shtuar për Milanin në sulm gjatë këtij sezoni, me Giroud që mund të mbulojë më së miri mungesën e Ibrahimovic por edhe që edhe mund të bëjë diferencën kur hyn nga stoli.

Pioli u besoi që nga fillimi në këtë sfidë emrave të rëndësishëm si Tomori, Romagnoli, Theo Hernandez, Tonali, Diaz e Leao, por pjesa e parë foli më shumë francezët kjo edhe për faktin se Nice është para me përgatitjet dhe pas një jave do të nisë kampionatin.

Shtylla i mohoi golin Gouiri në fraksionin e parë, gol që sulmuesi 21-vjeçar i Nice e gjeti në minutën e 59-të me penallti. Ndryshimet e shumta të bëra nga Pioli pas 60 minutash lojë dhanë frytet e tyre në formacionin e Milanit sepse avantazhi i francezëve zgjati vetëm 7 minuta, teksa në të 66-ën Giruod realizoi me kokë pas topit të marrë nga Castillejo.

Me kalimin e minutave të dyja skuadrat nisën të ndjenin lodhje dhe u kënaqën me barazimin. Tashmë vëmendja e Milanit shkon te miqësorja e radhës ndaj Valencias të mërkurën e ardhshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat