Shqetësime

Futboll

Shqetësime

Më: 11 gusht 2021 Në ora: 16:52
Shqetësime

Sergio Ramos është një nga afrimet e bujshme të Paris Saint Germain gjatë merkatos së kësaj vere, teksa pasi nuk rinovoi me Realin, u transferua me parametra zero në klubin francez, ku do të përfitojë një pagë të majme për dy sezonet e ardhshme.

Megjithatë aventura e mbrojtësit 35-vjeçar spanjoll në Francë nuk ka nisur aspak në mënyrën e duhur, pasi Ramos është dëmtuar që në seancën e parë stërvitore dhe vijon të qëndrojë larg fushave, në pritje të rikuperimit.

Burime nga pranë klubit të PSG-së bëjnë me dije se për të parë në fushë mbrojtësin veteran spanjoll, do të duhet të priten të paktën 8 javë, ose thënë ndryshe ditët e para të muajit tetor, aq sa është koha e llogaritur për rikuperimin e dëmtimit në pulpë.

Problemet fizike të Ramos kanë alarmuar jo pak edhe trajnerin Pochettino, pasi vlen të theksohet se 35-vjeçari spanjoll ka vuajtur jo pak nga dëmtimet edhe në sezonin e kaluar, kur arriti të zbresë në fushë vetëm në 21 ndeshje, ose gjysmën e mesatares sezonale me klubin e Realit të Madridit.

E nëse dëmtimet do ta ndjekin pas edhe këtë sezon, atëherë Ramos jo vetëm që nuk do të justifikojë dot pagën e lartë që do të marrë në Paris, por nuk do të arrijë të ndihmojë klubin në arritjen e objektivave, siç janë Liga e Kampionëve dhe titulli kampion në Francë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat