Telashe për Guardiolën

Futboll

Telashe për Guardiolën

Më: 13 gusht 2021 Në ora: 11:07
Telashe për Guardiolën

Mes afrimit të bujshëm të Grealish dhe ëndrrës së verës, Harry Kane, Manchester City është gati për të startuar sezonin e ri të Premier League, ku do të ketë si synim mbrojtjen e titullit kampion, ndërsa Pep Guardiola do të duhet të bëjë bashkë dy formacionet që ka në organikën e tij.

Kur planifikon skuadrën e tij, trajneri spanjoll nuk shqetësohet aspak për çmimin e kartonit të lojtarëve dhe kjo u ilustrua më së miri verën e kaluar, ku ndonëse kishte shpenzuar më tepër se 400 milionë euro për të kompletuar mbrojtjen, vendosi të nxjerrë nga arkat e klubit edhe 68 milionë euro të tjera për të sjellë në skuadër portugezin Ruben Diaz, i cili rezultoi një blerje e goditur.

Këtë verë Guardiola ka vendosur të freskojë repartin e sulmit dhe pronarët e klubit e kënaqën pak ditë më parë, duke i sjellë në dispozicion yllin anglez Jack Grealish për shifrën e 118.5 milionë eurove, çka është edhe një rekord për “skyblues”.

Megjithatë një rekord që mund të thyhet shumë shpejt, pasi objektivi i vërtetë e Pep Guardiolës është që të marrë në “Etihad Stadium” edhe kapitenin e Anglisë, Harry Kane, për të cilin janë gati të ofrojnë deri në 180 milionë euro, por kanë hasur në refuzimin e Tottenhamit.

Me Kane në fushë, Guardiola synon të ketë më në fund një numër 9 të mirëfilltë, që di jo vetëm të luajë me shpinë nga porta, të shfrytëzojë krosimet e të krijojë hapësira për të tjerët, por edhe të ndërtojë aksione të shpejta, pasi disponon një bagazh teknik për t’u admiruar.

Nga ana tjetër Jack Grealish duket se do të ketë lirinë për të lëvizur ku të dojë në fushë, me misionin e vetëm për t’u krijuar sa më shumë probleme kundërshtarëve dhe për të shërbyer me sa më shumë asiste sulmuesin kryesor të skuadrës, Kane.

Por kush do të mbetet jashtë për t’u bërë vend këtyre të dyve? Kane mund të marrë vendin e lënë bosh nga Aguero, me brazilianin Gabriel Jesus që do të duhet të kalojë një tjetër sezon në pankinë, duke pritur mundësinë e tij, ndaj mbetet për t’u parë kush do t’i bëjë vend Grealish.

Për momentin Raheem Sterling i ka pozitat e lëkundura në klub, megjithatë për anglezin nuk ka ardhur ende asnjë ofertë joshëse, ndaj Guardiola mund t’i japë një tjetër shans, ndërsa në krahun tjetër pritet që i riu Foden të duelojë për një vend me algjerianin Mahrez, që sezonin e fundit ishte nga më të mirët.

Mbrojtja e titullit kampion në Angli nuk do të jetë aspak një mision i lehtë, pasi të paktën tre klube të tjera si Chelsea, Manchester United e Liverpool do të provojnë ta zbresin nga froni, por sfida e vërtetë e Pep Guardiolës do të jetë pikërisht menaxhimi i grupit.

Në dispozicion të trajnerit spanjoll janë plot dy formacione, që nëse luajnë të ndarë, janë të dy pretendentë për titull, ndaj teknikut do t’i duhet të eliminojë pakënaqësitë, që mund të kthehen në armikun kryesor të arritjes së objektivave.

Megjithatë zgjedhjet nuk janë një mision i vështirë për trajnerin Guardiola, që ka treguar se nuk impresionohet nga emrat, pasi Ronaldinho, Eto’o dhe Ibrahimovic u larguan nga Barcelona gjatë drejtimit të tij, ndërsa më vonë refuzoi të besojë te Mario Goetze, që sapo ishte shpallur kampion bote me Gjermaninë dhe rasti më i fundit ishte para pak muajsh, kur i hoqi mundësinë Sergio Agueros të mbyllë sezonin në “Etihad Stadium”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat