Gurishta: Jemi të gjithë në formë, duam ta çojmë trofeun në Shkodër

Futboll

Gurishta: Jemi të gjithë në formë, duam ta çojmë trofeun në Shkodër

Më: 27 gusht 2021 Në ora: 20:02
Gurishta: Jemi të gjithë në formë, duam ta çojmë trofeun në Shkodër

Superkupa e Shqipërisë i paraprin sezonit të ri në Kategorinë Suoperiore, teksa Teuta kampione dhe Vllaznia fituese e Kupës do të sfidojnë njëra-tjetrën nesër në mbrëmje, në “Elbasan Arena”.

Kapiteni i shkodranëve, Erdenis Gurishta doli në konferencën e zakonshme në krah të trajnerit gjerman Brdariç dhe deklaroi se në kampin kuqeblu entuziazmi është shumë i lartë, ashtu si dëshira e madhe për të çuar trofeun në Shkodër.

Gjendja – Të them të drejtën të gjithë mezi po e presim ndeshjen, pasi e dëshirojmë shumë këtë trofe. Jemi të motivuar dhe të gjithë duken ne formë, ndaj tani duhet të presim vetëm ditën e nesërme.

Polemikat për titullin – Nuk kam pasur polemika me askënd, pavarësisht si e kanë keqinterpretuar të tjerët. Kam thënë që Vllaznia e ka merituar titullin, jo vetëm unë në fakt, por 80% e Shqipërisë. Nesër do mundohemi që ato 20% që nuk na kanë besuar, t’i bindim që ne e kemi merituar titullin.

Hakmarrje ndaj Teutës – Fjala hakmarrje nuk duhet të ekzistojë, por ne do bëjmë ndeshjen tonë, do luajmë lojën tonë. Është një ndeshje jo vetëm prestigji, por përderisa është finale, duhet ta konsiderojmë si të tillë dhe finalet luhen për t’u fituar, jo vetëm për t’u zhvilluar. Besoj se nesër do të dalim me kokën lart dhe do ta marrim trofeun.

Dëmtimi – Ishte një dëmtim i vogël le të themi. Besoj që tani jam në gjendjen time më të mirë, jam rikthyer me shumë optimizëm dhe në formë për t’i shërbyer skuadrës dhe për ta ngritur trofeun nesër lart. Pas atij sezonin të suksesshëm duhet të vazhdojmë, sepse më e vështirë është ta mbash suksesin se sa ta arrish. Nesër ne duhet ta fitojmë Superkupën.

Ekipi – Boshti i ekipit është ruajtur, por janë larguar lojtarë të tjerë. Normalisht lojtarët e afruar duan pak kohë që të ambientohen me lojtarët e tjerë, por me sa duket lojtarët e ri janë ambientuar shpejt me ekipin. Besoj se shumë shpejt do jenë 100% të ambientuar. Besoj që është një Vllazni shumë e fortë. A është më e forta apo jo, do ta shohim në vazhdim.

Tifozët – Shpresoj të jenë shumë tifozë që ta mbështesin Vllazninë, edhe pse është pak larg, por gjithsesi ne kemi nevojë për tifozët edhe me atë numër që do të jenë. Kemi nevojë për ta, sepse futbolli për tifozët luhet, ndaj shpresoj të na mbështesin dhe ne në fund të dalim të gjithë të gëzuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat