Vllaznia –Teuta , kryendeshja e Kampionatit Shqiptar

Futboll

Vllaznia –Teuta , kryendeshja e Kampionatit Shqiptar

Më: 17 shtator 2021 Në ora: 15:55
Vllaznia –Teuta , kryendeshja e Kampionatit Shqiptar

Vllaznia –Teuta është pa dyshim kryendeshja e fundjavës.

Në futbollin që ndryshon, është një sfidë që po merr konture të rivalitetit të veçantë. Për atë që bënë sezonin e kaluar, me titullin që shkoi në minutat e fundit të një kampionati të çmendur në Durrës, për keqardhjen e shkodranëve, si dhe finale e Superkupës që pa fituese sërish Teutën me fitoren e pastër 3-0, rezultate që shtojnë etjen e kuqebluve për revansh.

Këtë herë kanë në favor edhe faktorin “Loro Boriçi”, me tifozët e rikthyer do të jetë një mbështetje e fuqishme për skuadrën në fushë, ku Thomas Brdaric, përgatitet të hedhë të njëjtin formacion si në fitoren me Laçin. Gurishta dhe Diagne pritet t’ia dalin.

Në sfidën me kurbinasit ekzaltoi një Vllazni sulmuese, e aftë të shënonte 5 gola në një fushë të vështirë, por në krahun tjetër 3 golat e pësuar janë një detyrë shtëpie për t’u korrigjuar.

Teuta shkon në Shkodër me shpirtin e duhur: kampionë në fuqi, fitues të Superkupës dhe pas një suksesi të rëndësishëm ndaj Partizanit. Për Edi Martinin, një mungesë e vetme, ajo afatgjatë e Lorenco Vilës, me trajnerin që, besnik ndaj motos “skuadra që fiton nuk ndryshohet”, pritet të prezantojë të njëjtin formacion si në sfidën hapëse të kampionatit.

Një Teutë cinike dhe e ekuilibruar, me një mbrojtje të hekurt, përballë një Vllaznie që shënon dhe pëson, janë të gjithë përbërësit për ta bërë sfidën më intriguese edhe në aspektin teknik. Skena pritet të jetë e denjë për ndeshjet e mëdha, në “Loro Boriçi” nxehtësia e tifozëve është e garantuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat