Daja me ndryshime

Futboll

Daja me ndryshime

Më: 26 shtator 2021 Në ora: 12:32
Daja me ndryshime

Partizani ka pasur pak ditë kohë në dispozicion për të përgatitur duelin e vështirë kundër Vllaznisë, pasi ditën e mërkurë luajtën në Kupën e Shqipërisë përballë Tërbunit në Pukë, duke bërë më shumë se 300 kilometra.

Por kalendari nuk pret dhe nesër do të përplasen me Vllazninë në “Elbasan Arena”, në një sfidë ku Partizani do të kërkojë të gjejë fitoren e parë për këtë sezon të ri në kampionat.

Fitorja 0-3 kundër Tërbunit ka rritur disi optimizmin në kampin e kuq, por nuk ka pasur vetëm lajme të mira.

DËMTIMI – Në takimin kundër Tërbunit, qendërmbrojtësi Dajan Shehi u aktivizua titullar, por pësoi një dëmtim, duke u zëvendësuar në pushimin mes pjesëve. Dëmtimi nuk është serioz për qendërmbrojtësin, por Daja nuk rrezikoi me të, duke aktivizuar Sotën në pjesën e dytë. Mbetet për t’u parë nëse Shehi do të jetë gati për takimin kundër ish-ekipit të tij, Vllaznisë. Probleme fizike kanë dhe dy lojtarët e rinj të “demave”, Dionis Çikani dhe Klevis Dragaj.

SURPRIZA – Andrija Filipoviç pritet ta nisë nga minuta e parë takimin ndaj Vllaznisë, në krahun e djathtë të sulmit. Në atë pozicion, është aktivizuar Kardozo në dy ndeshjet e kampionatit, por braziliani pritet të ulet në stol. Kaçe pritet sërish titullar, ndërsa alternativat në mesfushë janë shtuar, pasi Rrapaj dhe Kote kanë lënë pas dëmtimet.

Vllaznia po përgatitet me intensitet për sfidën e së dielës me Partizanin. Ndonëse rezultatet e fundit në kampionat dhe Kupë nuk kanë qenë të duhurat, shkodranët duken të qetë dhe optimistë para duelit me “demat”.

Nën drejtimin e trajnerit Brdariç dhe ndihmësve të tij, kuqeblutë kanë kryer dje në seancë stërvitore, që është mbajtur në fushën sportive të Golemit.

Për këtë takim, trajneri Brdariç e ka thuajse të plotë grupin, ku përjashtim bën vetëm mbrojtësi Bulatoviç, i cili vijon fazën riaftësuese të dëmtimit. Përveç alegrisë dhe harmonisë, ekipit nuk i ka munguar as grinta dhe kërkesa e artë e llogarisë nga ana e teknikut gjerman, i cili ndaj Partizanit kërkon një ekip perfekt.

Edhe pse grupi konsiderohet i plotë, edhe ndaj të kuqve Vllaznia pritet të prezantohet me rreshtim eksperiment në mbrojtje, ku Kruja mendohet të luajë në të djathtë, ndërsa kapiteni Gurishta ta formojë dyshen e qendrës me Adilin.

Ndërsa në repartet e tjera alternativat janë më të shumta, por sërish trajneri pritet t’u besojë lojtarëve që ka aktivizuar si titullarë deri tani. Ekipit në stërvitje i është bashkuar edhe një mesfushor organizator nga Franca, i cili nëse bind mund të federohet në janar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat