Finalja e madhe e Ligës së Kombeve

Futboll

Finalja e madhe e Ligës së Kombeve

Më: 10 tetor 2021 Në ora: 12:25
Finalja e madhe e Ligës së Kombeve

Spanja dhe Franca bëhen gati për aktin e fundit të Ligës së Kombeve dhe dy ndër përfaqësueset më të forta në glob do të përballen këtë të diel, në mbrëmje, për finalen e madhe të edicionit të dytë të UEFA Nations League. Dy ekipet mbërritën deri në këtë pikë në mënyra vërtet shumë të ndryshme dhe nëse “la furia roja” nuk e vuri për asnjë çast në dyshim praninë në takimin përmbyllës të Ligës së Kombeve “gjelat” djersitën shumë për të mposhtur Belgjikën.

Në fund sidoqoftë Spanja dhe Franca e merituan plotësisht për t’u kualifikuar për në finalen e madhe dhe dy vendet bëhen gati për të matur forcat në sfidën e dhjetë kompetitive në historinë e përballjeve ndërmjet tyre.

Përballja e parë mes këtyre dy vendeve daton pothuajse një shekull më parë, më saktë më datën 30 prill të vitit 2022 në Qytetin e Bordosë, ku Spanja ia doli për të fituar me rezultatin e thellë 4-0. 19 sfidat e para mes tyre kanë qenë që të gjitha ndeshje miqësore dhe “La Roja” dominoi pjesën më të madhe të këtyre takimeve. Historia ndryshoi pikërisht në vitin 1984, në vitin e Europianit francez, ku “blutë” e Mishel Hidalgos, nën udhëheqjen e të madhit Michel Platini, përfituan nga gabimi i rëndë i portierit të famshëm bask, si dhe kapitenit të Spanjës, Luis Arconada, për të triumfuar në “Parc des Princes” me shifrat 2-0, duke u dhënë “gjelave” edhe të parin trofe të rëndësishëm në aktivitetet madhore.

Kështu finalja e madhe e edicionit të dytë të UEFA Nations League përfaqëson edhe ndeshjen e dytë më të rëndësishme në historikun e përballjeve ndërmjet këtyre dy vendeve.

Deri në shekullin e ri Franca ka dominuar përballjet ndërmjet tyre në të gjithë kompeticionet, megjithatë në mijëvjeçarin e ri blutë krenohen vetëm me suksesin e Hanoverit në fazën e 1/8 në botërorin gjerman, pasi në ndeshjet e tjera Spanja ia ka dalë për t’i eliminuar “Gjelat” nga aktivitetet e mëdha.

Që nga ajo kohë Spanja ka fituar 5 nga 7 sfidat mes tyre, duke barazuar një dhe humbur minimalisht 1-0 në vitin 2014, takimin miqësor menjëherë pas botërorit brazilian në Stadiumin Saint Denis falë një goli të realizuar nga Loic Remy.

Spanja kryeson bilancin e përgjithshëm të 35 takimeve 16 me 12 me fitore, ndërkaq “La Roja” ka fituar gjithashtu 2-0 edhe përballjen e fundit ndërmjet tyre në vitin 2017, brenda në “Stade de France”, falë golave të shënuar nga David Silva dhe Gerard Deulofeu.

Finalja Spanjë – Francë e edicionit të dytë të Ligës së Kombeve do të luhet në orën 20:45, në “Stadiumin San Siro” dhe do të drejtohet nga kryesori anglez, Anthony Taylor.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat